Kushtoi 260 mln euro/ Rruga e Ballukut ende e bllokuar nga inertet, pas 10 ditësh hapet vetëm për fshatrat e Pogradecit

14:48, 18/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas dy javë e mbyllur, është hapur këtë të diel rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cilësuar si rruga e “artë” e ministres Belinda Balluku, pasi ka kushtuar 260 mln euro.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë është rihapur pjesërisht, pas rreth 10 ditësh bllokim nga masivi shkëmbor që u shemb si pasojë e reshjeve të shiut dhe motit të keq në qarkun e Korçës. Aktualisht, qarkullimi lejohet vetëm për mjetet që kanë destinacion fshatrat e Pogradecit të lidhura me këtë aks, ndërsa mjetet që udhëtojnë drejt Elbasanit apo Korçës do të vijojnë qarkullimin normal nga dita e hënë.

Sipas informacioneve, është bërë largimi i plotë i masivit shkëmbor, ndërsa po vijon pastrimi i trupit të rrugës nga balta. Megjithatë, kjo nuk zbeh shqetësimet serioze që lidhen me sigurinë e këtij segmenti rrugor.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë është shndërruar prej vitesh në një problem të përsëritur për qytetarët, për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave dhe shkëmbinjve nga skarpatet. Këto incidente të shpeshta kanë çuar disa herë në bllokimin e plotë të qarkullimit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi cilësinë e punimeve, studimin gjeologjik dhe sigurinë reale të këtij projekti.

Një rrugë e shpallur si investim strategjik vijon të jetë burim rreziku për drejtuesit e mjeteve, ndërsa institucionet përgjegjëse heshtin për përgjegjësitë dhe garancitë afatgjata të sigurisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco