Fshati Salcë-Kozare në Njësinë Administrative Kozare, Kuçovë, është përfshirë nga dëmet e përmbytjeve të ditëve të fundit, pas hapjes së portave të hidrocentralit të Banjës.
28 ha sera dhe 60 ha toka bujqësore janë ende të përmbytura, duke sjellë shkatërrimin total të prodhimit.
Uji ka arritur deri në 1 metër në disa zona, duke shkatërruar bimët në fazën e vjeljes.
Kafshë dhe shpendë shtëpiake kanë ngordhur si pasojë e përmbytjeve, ndërsa rezervat ushqimore të bagëtive janë humbur.
Fermerët pohojnë se dëmet janë të pallogaritshme, duke kërcënuar ekonominë e tyre familjare, e cila mbështetet kryesisht tek prodhimi i serave dhe i tokave bujqësore.
Ata bëjnë apel për dëmshpërblim nga shteti, pasi rikuperimi i tokës dhe fillimi i një cikli të ri prodhimi do të jetë i mundur vetëm pas 3-4 muajve, deri në tharjen e plotë të tokës.
Banorët theksojnë se humbjet në kulturat bujqësore janë të mëdha dhe disa zona kanë nevojë urgjente për ushqime për bagëtitë dhe mbështetje emergjente nga autoritetet.
© SYRI.net