Një situatë e rënduar nga virozat sezonale dhe gripi po vërehet ditët e fundit në spitalin e Pogradecit, ku është regjistruar një rritje e ndjeshme e fluksit të pacientëve, si në shërbimin e pediatrisë, ashtu edhe tek të rriturit.
Që prej pragut të festave të Krishtlindjeve, çdo ditë dhjetëra qytetarë po paraqiten për ndihmë mjekësore, kryesisht me simptoma respiratore, temperaturë të lartë, kollë dhe lodhje të përgjithshme.
Më të prekurit mbeten fëmijët, të cilët paraqiten masivisht në shërbimin e pediatrisë me shenja të virozave të rrugëve të frymëmarrjes dhe gripit. Sipas të dhënave nga spitali, fluksi ditor i vizitave për fëmijët arrin në rreth 60–70 raste, ndërsa një numër i ngjashëm vizitash regjistrohet edhe tek pacientët e rritur.
Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore tek disa raste ka sjellë edhe rritje të numrit të shtrimeve në spital. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, në pavijonin e pediatrisë janë shtruar rreth 100 fëmijë, të grupmoshave të ndryshme, kryesisht për shkak të komplikacioneve që shoqërojnë virozat respiratore.
Mjekët theksojnë se kushtet atmosferike, lagështira dhe temperaturat e ulëta kanë ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e infeksioneve sezonale, duke rritur ndjeshëm kërkesën për shërbim shëndetësor.
Stafi mjekësor apelon për kujdes të shtuar, duke këshilluar qytetarët që të paraqiten për vizitë që në shfaqjen e hershme të simptomave, të vishen ngrohtë dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të ftohta, me qëllim parandalimin e komplikacioneve dhe lehtësimin e mbingarkesës së shërbimeve spitalore.
© SYRI.net