Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

'Rrugë të bllokuara dhe shtëpi që rrezikojnë shembjen', emigranti: Banorët jetojnë në frikë, kjo është katastrofë

09:54, 12/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një emigrant shqiptar i kthyer në vendlindje pas lajmit për përmbytjet, ka rrëfyer ditën e sotme për 'Kafe Shqeto' në Syri Televizion, një panoramë dramatike  që shkon përtej ujit dhe baltës.  Emanuel Pirra, me origjinë nga fshati Rrushkull, në Bashkinë Sukth (Durrës) e përshkruan situatën në zonë si një “katastrofë të vërtetë”, ku përmbytja është problemi më i vogël përballë degradimit, rrezikut dhe asaj që ai e quan një klimë frike mes banorëve.

Nga studioja e 'Kafe Shqeto', Pirra kujton me nostalgji të kaluarën e fshatit të tij, dikur një “fshat shembull nacional” me lulishte, kinema dhe fusha sportive. Kjo tablo idilike është në kontrast të thellë me atë që gjeti kur u kthye.

“Aty nuk gjen se çfarë gjen,” shprehet ai, duke theksuar se problemi nuk është i ri, por një plagë e vjetër që rëndohet çdo ditë e më shumë. Sipas tij, tmerri i vërtetë fshihet pas pasojave të përmbytjes.

 “Përmbytja është minimumi nga tmerri që shihni aty,” pohon Pirra, duke sugjeruar se neglizhenca afatgjatë ka krijuar një situatë edhe më të rrezikshme se vetë fatkeqësia natyrore.

 Ai shprehu skepticizëm ndaj reagimit zyrtar, duke përdorur një metaforë therëse: “një punon e gjashtë shohin”.

Një nga aspektet më shqetësuese të dëshmisë së tij është pohimi se banorët jetojnë nën një klimë frike. Sipas Pirrës, ndonëse uji është tërhequr dhe njerëzit janë kthyer në shtëpitë e tyre, ata janë “me trurin e mpirë” dhe hezitojnë të flasin hapur për problemet.

 “Kanë frikë banorët të flasin,” thotë ai, duke shtuar se bisedat nëpër lokale bëhen me zë të ulët, një shenjë e një shqetësimi të thellë që nuk guxon të shprehet. 

Ai kërkon një ndërhyrje të studiuar, me ndihmën e ekspertëve dhe pa dallime politike, për të shmangur përsëritjen e kësaj katastrofe.

“Nuk na intereson politika, na intereson vendlindja,” përfundon ai.

Deklarata e plotë:

"Dikur në atë fshat ka qenë një fshat shembull, shembull nacional, me lulishte, me kinema. Ka qenë kampi veror, pallatet e aksionistëve, fusha e futbollit që luanin skuadrat. Me një fjalë, ka qenë një fshat tepër normal.

Tani, përjetimi im atje nuk është aspak i çuditshëm sepse unë i di këto gjëra. Po në qoftë se do ta përjetoja më keq akoma, në qoftë se do të isha me ndonjë mik të huaj. Aty  si me thënë ndjehesh në siklet.

Kompleksohesh, sepse nuk është se ti, e gjen një gjë të papritur se ajo gjë dihet, e dinë të gjithë fshatarët aty rreth e qark. Po të marrësh një mik për shembull nga jashtë ose edhe nga Tirana, ndjen siklet të i madh.

Unë me thënë të drejtën, festat i bëra këtu në Itali, por duke parë situatën lashë fëmijët edhe gruan edhe erdha direkt te prindërit. Sepse jemi një brez që ndodhemi mes dy zjarresh. Familja në emigrim edhe prindërit në Shqipëri. Dhe ne ndoshta jemi brezi më në siklet.

Çka nuk gjetëm, jo çfarë gjetëm. Sepse aty është një katastrofë e vërtetë, çdo ditë e më tepër shkon. Aty vij për prindërit, kemi investuar atje me shtëpia. Kështu që aty çfarë nuk gjen, jo çfarë gjen.

Për shembull, nga pusetat që bllokohen, nuk e kuptoj si banorëve nuk mund t’i vësh faj shumë. Aty janë tulla e tjegulla në gjendje të lirë. Menjëherë shumë të lehtë mund të bien poshtë edhe bien poshtë përditë. Përmbytja është minimumi që mund të jetë nga tmerri që shihni aty. Shiko, është një fjalë e vjetër, që është e kotë të qash sipër një arkivoli. Do të thotë aty forca mund të kishte, ndonjë tre, katër veta shohin, një punon e gjashtë shohin.

Sepse ndoshta atje unë erdha, hyra në fshat. Kur zbrita nga avioni, hyrja e fshatit ishte e bllokuar. Dolëm nga krahu tjetër, prapë nga Hamallaj. Dolëm gati thuaj se dolëm, dilnim edhe nuk dilnim.

Uji ka ikur, banorët janë kthyer në fshat me trurin e mpirë. Ata nuk i bën përshtypje ose kanë dhe frikë, flasin të gjithë me zë të ulët në lokale. Është një habi e madhe. Po një që vjen nga jashtë e kupton se këtu ka diçka që ka çeduar.

Unë një apel bashkëfshatarëve të mi në Rrushkull, nuk kam çfarë t’i bëj sepse e shohin vetë. Po një apel do t’i bëja emigrantëve të Rrushkullit edhe bashkisë së Sukthit: të kenë dëshirën t’u informohen me njerëz të duhur për të evituar një problem të madh. Sepse ky nuk është problemi i parë, është problemi i gjithhershëm.

Duhet një dorë aty me qetësi, pa dallim partie. Nuk duhet të hyjmë në politikë. Na intereson vendlindja".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco