Edhe pse situata e përgjithshme në qarkun Gjirokastër po shkon drejt normalizimit, problematikat kryesore vijojnë të lidhen me rrëshqitjet e dherave dhe bllokimin e akseve rrugore në disa bashki.
Në bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit vijon të jetë e bllokuar. Punimet për hapjen e saj do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme nga kontraktori dhe UKGJ. Po ashtu, bashkia po vijon punën për largimin e inerteve në lagjet Dunavat dhe Manalat, si dhe në përroin e Sopotit, në fshatin Lazarat. Problem raportohen edhe në fshatin Nokovë, në njësinë administrative Lunxhëri.
Në bashkinë Libohovë, situata mbetet problematike në Njësinë Administrative Zagori, ku rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave. Ndërhyrja është e vështirë për shkak të paqëndrueshmërisë së formacioneve.
Në bashkinë Memaliaj, një rrugë e brendshme në fshatin Memaliaj mbetet e bllokuar, duke izoluar 5 banesa. Në Njësinë Administrative Luftinjë, në fshatin Tosk-Martalloz, rrëshqitjet e dherave rrezikojnë një banesë, ndërsa ndërhyrja me mjete është e pamundur për shkak të terrenit. Në Njësinë Administrative Krahës, në fshatin Levan, janë regjistruar përsëritje të rrëshqitjeve.
Në bashkinë Përmet, po vijon edhe sot puna për pastrimin e dherave në pjesën e sipërme të lagjes Sede, në qytetin e Përmetit.
Në bashkinë Këlcyrë, rruga e fshatit Luar, Njësia Administrative Sukë, është e bllokuar nga dherat. Po ashtu, rruga e fshatit Psar, në njësinë administrative Ballaban, mbetet e bllokuar; ndërhyrja nuk ka nisur ende për shkak të rritjes së nivelit të lumit të Dëshnicës.
Situata paraqitet më problematike në bashkinë Tepelenë, ku disa akse rrugore janë momentarisht të paaksesueshme, përfshirë:
Salari – Nivicë
Dukaj – Sinanaj
Subash – Hormovë (rruga e vjetër)
Rruga e brendshme e Varrezave të Turanit
Në aksin Tepelenë – Gjirokastër, pranë zonës së Shkallës së Zezë, puna për pastrimin vijon, ndërsa qarkullimi kryhet me një korsi.
Sa i përket energjisë elektrike, sipas OSHEE, me përjashtim të fiderëve Maricaj dhe Miniera 1 në bashkinë Memaliaj, pjesa tjetër e qarkut furnizohet normalisht.
Ndërkohë, lumi Vjosë në Memaliaj paraqitet në nivelin 3.5 metra, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren.
© SYRI.net