Rreziku nga lumi Seman mbetet aktiv në qarkun Fier, qindra hektarë tokë të përmbytura

Rreziku nga lumi Seman mbetet aktiv në qarkun Fier, qindra hektarë tokë të përmbytura

08:17, 12/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Situata më problematike në qarkun Fier vijon përgjatë rrjedhës së lumit Seman, ku prurjet mbeten në kuota të larta në të gjithë gjatësinë e argjinaturës, nga territori i bashkive Lushnje, Roskovec, Patos dhe Fier, deri në grykëderdhje.

Si pasojë, qindra hektarë tokë bujqësore vazhdojnë të jenë të përmbytura brenda argjinaturave në zonat e Lushnjës, Roskovec-Patos dhe Fierit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për fermerët.

Në fshatin Mbrostar, bashkia Fier, lumi Seman ka përmbytur disa kasolle bagëtish dhe depozita bari, të ndodhura brenda argjinaturës, ndërsa në fshatin Petov është raportuar prezencë uji në oborrin e një banese, duke rritur shqetësimin për banorët.

Edhe pse lumi është tërhequr nga banesat dhe rrugët në fshatin Murriz, njësia administrative Fiershegan, bashkia Lushnje, rreziku nuk është eliminuar ende për zonat e banuara përgjatë lumit Seman.

Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet prezent për fshatrat Beline, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gërçalli dhe Petov, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për shkak të dinamikës së prurjeve.

Ndërkohë, lumenjtë e tjerë në qark paraqiten më të stabilizuar, por vëmendja kryesore mbetet tek Seman, ku çdo rritje e papritur e prurjeve mund të sjellë përkeqësim të situatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco