Reshjet e dendura të dëborës, kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit, duke bllokuar disa akse kombëtare dhe shumë të tjerë në zonat rurale. Në Shkodër është bllokuar aksi Qafë Thore-Theth, ndërsa në Kukës, janë dhjetëra fshatra të izoluar nga dëbora në zonat e Topojanuit, Zapodit, Shishtavecit etj. Bllokime rrugësh nga dëbora janë raportuar edhe në Dibër, ndërsa vijon të jetë i bllokuar aksi kombëtar Qukës-Qafë Plloçë si dhe disa rrugë në zonat rurale të Gjirokastrës dhe Vlorës për shkak të rrëshkitjes së dherave.
Syri tv
Pas reshjeve të shiut, në lartësinë deri në 500 metra mbi nivelin e detit në zonat Veriore, verilindore dhe juglindore të vendit, kanë rënë reshje të dendura dëbore, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda kryesisht për qarkullimin e mjeteve dhe furnizimin me energji elektrike të zonave rurale.
Si pasojë, dhjetëra fshatra në njësitë administrative Topojan, Zapod, Shishtavec, Gryk-Çaj, Kalis dhe Arrën e Malzi në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë të bllokuara, pasi trashësia e borës në disa zona ka arritur mbi 30 centimetra. Banorët raportojnë se që prej ditës së djeshme janë pa energji elektrike, ndërsa mungesa e sinjalit telefonik e ka vështirësuar edhe më shumë komunikimin, duke i izoluar plotësisht, ndërsa akset kombëtare janë të hapura.
Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Rruga e Arbrit është e kalueshme. Mbeten të bllokuar akset drejt Librazhdit dhe Kukësit, ndërsa po punohet për hapjen e fshatrave të Bashkisë Dibër. Ndërkohë ende nuk është gjetur trupi i pasagjerit që ndodhej në automjetin, që përfundoi në lumin Mat një ditë më parë. kërimet për të vijojnë.
Probleme nga dëbora, janë shkaktuar edhe në akset rrugore të qarkut të Shkodrës. Mbetet e bllokuar rruga Qafë Thore Theth rruga e bllokuar si pasojë e rënies së orteqeve, ndërsa raportohet se kalohen me zinxhir akset Vermosh-doganë dhe Qafë Mali-Fierzë.
Edhe në Qarkun e Gjirokastrës, janë raportuar shkarje dherash në zonën e Lunxhërisë, ka pasur 1.5 km rrëshkitje dheu. Tre familje janë evakuar në fshatin Malshkovë të Këlcyrës, ndërsa disa akse rrugore vijojnë të kalohen me vështirësi për shkak të rënies së gurëve.
Një tjetër segment i bllokuar prej ditësh është dhe aksi Qukës –Qafë Plloçë, pasi edhe gjatë mbrëmjes të së shtunës ka pësuar një tjetër rrëshkitje në vendin e quajtur Ura e Goliut. Në këtë rrugë ka pasur shkarje masive.
Prej tre ditësh, edhe banorët e fshatit Bashaj në Selenicë vijojnë të jenë të bllokuar, për shkak të rrëshqitjeve masive të shpatit të malit, që ka sjellë për pasojë edhe prishjen e rrugës. Në mungesë të reagimit nga bashkia, banorët në Bashaj dhe Matogjin kanë nisur të hapin vet rrugën me mjete rrethanore.
© SYRI.net