Banorët e fshatrave Bashaj dhe Matogjin në Bashkinë e Selenicës kanë mbetur të bllokuar prej tre ditësh si pasojë e shembjes së një masivi dheu dhe gurësh që ka dëmtuar rrugën kryesore të zonës.
Për shkak të mungesës së ndërhyrjes së institucioneve përgjegjëse, banorët janë detyruar të ndërmarrin vetë veprime për të hapur rrugën dhe për të rifituar qarkullimin.
Me kasma dhe lopata në dorë, mbi 250 banorë po punojnë prej ditësh për të hequr masivin e shembur dhe për të thyer izolimin që i ka zënë prej 4 ditësh, pa asnjë ndihmë apo mbështetje institucionale. Situata e krijuar ka shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi në komunitetin lokal, i cili kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe përkujdesje nga ana e autoriteteve.
Banorët apelojnë që të mobilizohen institucionet për të garantuar mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore dhe për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen.
© SYRI.net