Dielli ka nxjerrë në pah dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Durrësit të ri.
Janë mbi 5700 banesa të përmbytura në të gjithë Durrësin.
Sot është dita e gjashtë dhe familjet e zonës së Durrësit të ri, të Kënetës dhe të Rrashmbullit e Shkozetit janë ende në vështirësi të mëdha.
Ka banesa ku uji është tërhequr dhe familjet po evidentojnë dëmet e mëdha ndërsa përpiqen të evidentojnë dhe çfarë mund të shpëtojnë nga objektet e shtëpisë të cilat I kanë blerë me mundin e jetës.
Ndërsa në shumë banesa uji vijon të jetë në oborre. Banorët kanë hapur dritaret. Në parvaze kanë nxjerrë divanë, rroba e ç’të mundin të thajnë nga uji.
Shumë familje ende nuk kanë ngritur automatet e energjisë elektrike pasi janë të rrethuar nga uji, çka u vështirëson jetesën.
Emegjencat Civile informojnë se në 1700 familje janë shkaktuar dëme të mëdha.
Kamera e Syri TV dhe gazetarja Albana Aliaj ishte në një nga banesat ku uji e kishte përmbytur deri në 30 cm.
Pajisjet elektroshtëpiake dhe çdo gjë është shkatërruar.
“Dëmet janë të shumta. Katër netë kam fjetur në makinë, ndërsa nusen e çuam tek njerëzit e saj. Duam dëmshpërblim. Kisha 7 vjet që punoja për këtë shtëpi që u dëmtua për 1 orë.
Dy dhoma gjumi më janë shkatërruar. Kuzhina 2 milionë lekë. 2 frigoriferë, lavatriçja, dyert. 30 cm ujë kam pasur brenda në shtëpi. Nuk i nxjerr dot të gjithë përjashta, se oborri është nën ujë" tha kryefamiljari për mikrofonin e Syri Tv.
Gazetarja Albana Aliaj informon se 80 % e zonës së Durrësit të ri është përmbytur.
© SYRI.net