Gjatë gjithë mesditës dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, aksin Hani Hotit – Vermosh e kanë përfshirë reshje të dendura bore, shoqëruar me erë të fortë në lartësi mbi 700 metra. Trashësia e dëborës në Qafën e Perdolecit arrin mbi 80 cm, ndërsa era e fortë sjell dëborë nga skarpatat.
Autoritetet rekomandojnë që drejtuesit e automjeteve të lëvizin me goma dimërore, ndërsa në pjesën e Qafës së Perdolecit (Gropat e Selcës – Degezim Vermosh/Dogane) të përdorin zingjire, për shkak të rrezikut nga era dhe grumbullimi i dëborës.
Ndërkohë, segmenti Qafë Thore – Theth mbetet i mbyllur që nga mbrëmja e djeshme, në bashkëpunim me policinë, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet dhe renia e orteqeve. Sipas raporteve të para, gjatë natës ka pasur renie orteqesh, por pa shkaktuar dëme.
Lëvizja në këtë zonë do të duhet të bëhet me kujdes maksimal derisa situata të përmirësohet.
© SYRI.net