Gati 2/3 e sipërfaqes bujqësore prej 2,500 hektarësh në zonën e Torovicës në Lezhë është e përmbytur. Dëmet konsiderohen të mëdha, ndërsa qëndrimi i ujit në sipërfaqe për një kohë të gjatë rrezikon humbje të konsiderueshme për fermerët që kanë mbjellë tokat e tyre.
Prurjet e ujërave malore kanë dëmtuar edhe infrastrukturën në një nga lagjet e fshatit, duke e bërë rrugën të pakalueshme.
Banorët theksojnë se kjo situatë përsëritet çdo herë që ka reshje shiu me intensitet të lartë, duke shkaktuar kryesisht dëme në sektorin e bujqësisë.
“Fusha e Torovicës ka qenë një ndër zonat me rendimentin më të lartë në bujqësi, por përmbytjet e vazhdueshme kanë bërë që shumë fermerë të heqin dorë nga ky sektor,” shprehet një banor i zonës.
Situata mbetet e ndjeshme dhe autoritetet lokale paralajmërojnë banorët dhe fermerët që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet në zonat e përmbytura.
© SYRI.net