Rreziku i përmbytjeve rritet në Kaskadën e Drinit, Liqeni i Kukësit drejt kuotës maksimale

14:11, 10/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë veriun e Shqipërisë gjatë ditëve të fundit, kanë çuar me shpejtësi Liqenin e Kukësit, ujëmbledhësin më të madh të vendit, drejt kuotës maksimale. Me ritmet aktuale të prurjeve, niveli i ujit në liqen është rritur me 11 metra në vetëm katër ditë, duke rritur ndjeshëm mundësinë e shkarkimeve të detyruara nga diga e Fierzës.

Sipas ekspertëve, shkarkimet e mundshme mund të shkaktojnë një efekt domino në Kaskadën e Drinit, duke ndikuar menjëherë në hidrocentralet e tjera të zonës, ato të Komanit dhe Vaut të Dejës. Ky fluks i shtuar do të rrisë ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve, sidomos në zonat e nënshkodrës, që janë historikisht të ekspozuara ndaj katastrofave të tilla natyrore.

Në këtë situatë kritike, ekspertët dhe strukturat përgjegjëse po monitorojnë me kujdes nivelin e ujit, për të balancuar sigurinë e digave, prodhimin e energjisë elektrike dhe minimizimin e rrezikut për përmbytje të mëdha.

Ky zhvillim po vë në rrezik jo vetëm sigurinë e popullsisë dhe infrastrukturës, por gjithashtu kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga autoritetet, për të shmangur katastrofën.

Njoftimi:

Ujëmbledhësi më i madh në vend drejt kuotës maksimale, rritet rreziku i shkarkimeve dhe efekti domino në Kaskadën e Drinit
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë veriun e vendit gjatë ditëve të fundit po e çojnë me shpejtësi drejt mbushjes maksimale Liqenin e Kukësit, ujëmbledhësin më të madh në Shqipëri. 

Me ritmet aktuale të prurjeve, niveli i ujit po i afrohet shpejt kuotës maksimale, duke rritur mundësinë e shkarkimeve të detyruara nga diga e Fierzës.

Sipas të dhënave teknike, vetëm në katër ditë niveli i ujit në liqen është rritur me rreth 11 metra, ndërsa prurjet në lumin Drin janë shumëfishuar. Nga 260 m³/s para reshjeve, aktualisht prurjet kanë arritur në 1200 m³/s në HEC Fierzë, një fluks që ushtron presion të vazhdueshëm mbi rezervuarin.

 Niveli aktual i ujit në Liqenin e Kukësit:
HEC Fierzë: 290.8 metra
(Niveli maksimal: 296 metra)

Me këtë trend, ekspertët paralajmërojnë se brenda dy ditëve mund të arrihet kuota maksimale e ujit, çka do të impononte nevojën për menaxhim të kontrolluar të shkarkimeve për të garantuar sigurinë e digës.

Fierzë, nyja kyçe e Kaskadës së Drinit, ka një rol vendimtar edhe për dy hidrocentralet e tjera në vijim, atë të Komanit dhe Vaut të Dejës. Çdo shkarkim i shtuar nga Fierzë do të transmetohej menjëherë në këto diga, duke krijuar një efekt domino në të gjithë kaskadën.

Rritja e menjëhershme e prurjeve në Koman dhe Vaun e Dejës do të rriste ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonat poshtë digave, veçanërisht në zonat e nënshkodrës, të cilat historikisht janë të ekspozuara ndaj përmbytjeve në raste të tilla.

Ndaj, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët e HEC-it të Fierzës dhe strukturat përgjegjëse, me qëllim balancimin midis ruajtjes së sigurisë së digave, prodhimit të energjisë elektrike dhe minimizimit të rrezikut për përmbytje në zonat e ulëta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco