Sot kemi hyrë në ditën e gjashtë të prurjeve të lumit Vjosë, i cili gjatë mbrëmjes së djeshme ka nisur të tërhiqet, falë rënies së reshjeve të shiut. Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit, dhe lumi është rikthyer në shtratin e tij, duke mos përbërë më rrezik për zonën.
Megjithatë, pasojat e përmbytjeve vazhdojnë të jenë evidente, veçanërisht për banorët e fshatrave të prekur. Në njësinë administrative Novoselë, rreth 13 banesa janë goditur nga përmbytjet, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 banesa që kanë pasur prezencë uji në oborre dhe disa prej tyre kanë pësuar dëme edhe në ambiente të brendshme, ku ka hyrë uji.
Aktualisht, banorët janë duke pastruar baltën dhe mbetjet që lumi Vjosë ka lënë pas në oborret dhe brenda shtëpive të tyre. Dëmet janë të konsiderueshme, duke përfshirë jo vetëm pastrimin e hapësirave të brendshme, por edhe humbjen e pasurisë dhe burimeve jetike.
Shqetësimi kryesor për banorët lidhet me dëmet në bujqësi dhe blegtori, pasi prurjet e lumit kanë marrë me vete ushqimin e bagëtive, barin, misrin dhe rezerva të tjera jetike, duke vështirësuar jetesën e tyre. Ndërkohë, disa banesa ende mbeten të përmbytura dhe banorët janë të pafuqishëm të sigurojnë ushqim për bagëtitë e tyre, gjë që ka rritur nevojën për ndihmë emergjente.
Situata për banorët mbetet e vështirë dhe ata kërkojnë ndihmë të menjëhershme, veçanërisht për ushqimin e bagëtive dhe asistencë për riparimin e dëmeve në shtëpi dhe bujqësi.
© SYRI.net