Banorët e fshatit Arrëz e Madhe, në Bashkinë Memaliaj, po përballen prej tre ditësh me mungesë të energjisë elektrike, ndërsa situata është përkeqësuar ndjeshëm pas reshjeve të borës të ditës së sotme, të cilat kanë bllokuar rrugën lidhëse të zonës.
Fshati nuk disponon asnjë dyqan ushqimor, duke i detyruar banorët që për furnizimin me produkte bazë të udhëtojnë drejt qytetit të Memaliajt. Aktualisht kjo është e pamundur, pasi rruga është e pakalueshme dhe zona ndodhet në izolim të plotë.

Mungesa e energjisë elektrike, pamundësia për furnizim me ushqime dhe bllokimi i rrugëve kanë shtuar shqetësimin e banorëve, të cilët shprehen se janë lënë në harresë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për hapjen e rrugëve dhe rikthimin e menjëhershëm të energjisë elektrike, në mënyrë që të shmangen pasoja edhe më të rënda për komunitetin.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për situatën në Arrëz e Madhe.

© SYRI.net