Kaotike mbetet situata në Gjirokastër, nga ku banorët ankohen për neglizhencë nga ana e pushtetit lokal.
Gjatë inspektimit në terren, Armando Rabaj, zëdhënësi i PD Gjirokastër, denoncoi situatën e rëndë që është krijuar këto ditë në lagjen Kordhoc të fshatit Lazarat, ku banorët janë lënë në harresë nga pushteti vendor.
Ata shprehen se prej tre ditësh Njësia Administrative Lazarat i ka braktisur dhe nuk u përgjigjet as telefonatave.
‘Nuk i kemi asnjë borxh Bashkisë, po i paguajmë taksat, ata janë borxhlinj ndaj nesh. Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi nuk do t’ia dijë’, shprehet i nervozuar një prej banorëve, i cili theksoi se është detyruar të paguajë privatisht për rregullimin e rrugës së shkatërruar nga reshjet e shiut.
Ndërkohë, Njësia Administrative ka bërë selektime, duke shtruar me beton rrugën e lagjes ku ndodhet banesa e administratorit, ndërsa lagjet e tjera, të cilat janë taksapaguese të rregullta, janë lënë pas dore.
Familjarët shprehen se janë të detyruar të paguajnë rregullimin e rrugës me paratë e tyre, për shkak se në familje kanë persona të sëmurë dhe fëmijë të vegjël.
© SYRI.net