Lajmi i fundit

'Atdheu thërret, diaspora përgjigjet'/ Mijëra emigrantë mbërrijnë në Tiranë, kërkohet largimi i Ramës

‘Sivjet ishte më keq’/ Banori tek ish Këneta: Hera e dytë që përmbytemi, askush s’ka ardhur!

16:17, 08/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për të dytin vit radhazi, një familje përballet me përmbytjen e banesës, duke parë sesi uji mbulon gjithçka që kanë ndërtuar me mund.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Durrësi, gazetari i Syri Tv, Klajdi Bodlli ka sjellë situatën më të fundit nga ish-këneta e Durrësit, teksa ka intervistuar një banor të zonës pas përmbytjeve masive në këtë qark.

Në lidhjen e drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve të pasdites nën moderimin e Edvin Parrucës, kryefamiljari rrëfen se situata këtë vit është edhe më e rëndë se vitin e kaluar, ndërsa ndihet i braktisur nga institucionet, të cilat sipas tij, nuk kanë ofruar asnjë lloj ndihme. “Kjo është hera e dytë që përmbytemi. Vjet ka qenë e mbytur komplet. Sivjet, akoma më keq”, shprehet ai, teksa tregon se prej dy ditësh askush nuk i ka kontaktuar dhe as nuk u ka ofruar mbështetje.

Familja është përpjekur e vetme të shpëtojë çfarë të mundet nga orenditë dhe pajisjet shtëpiake. Drama bëhet edhe më e thellë kur mësohet se dëmet e përmbytjes së një viti më parë nuk janë kompensuar ende.

Sipas banorit, përfaqësues të bashkisë kanë kryer verifikimet, por premtimi për dëmshpërblim ka mbetur vetëm në letër. “Thanë që do t'i japin, por akoma për të marrë s'kemi marrë asgjë”, pohon ai. I pyetur për një apel, ai shpreh dëshpërimin dhe pasigurinë për të ardhmen. Dëmet materiale janë të shumta dhe barra financiare e riparimit të shtëpisë për të dytën herë është e papërballueshme.

“Vjet e rregulluam me borxhe, pa borxhe, e bëmë. Tashti s'të bën më zemra të hysh në shtëpi ashtu”, thotë ai, duke përshkruar kështu edhe peshën e rëndë psikologjike. Sipas tij, kjo situatë është një fenomen i dy viteve të fundit.

 Aktualisht, familja është detyruar të largohet nga banesa e vërshuar nga uji. Ata janë strehuar përkohësisht te të afërmit, duke jetuar në kushte të vështira dhe me pasigurinë se kur do të mund të kthehen në shtëpinë e tyre.

Me asnjë s'kemi komunikuar me të thënë të drejtën. Më shumë jemi marrë njëherë që të kemi ngritur gjërat këtu sepse të paktën të shpëtojmë ndonjë gjë, sepse kjo është hera e dytë që përmbytemi. Vjet, ka qenë e mbytur komplet. Sivjet, akoma më keq. Kështu që, as s'na ka ardhur njeri dhe edhe s'kemi kërkuar ndihmë, me të thënë të drejtën. S'na ka ardhur njeri kështu që, nuk e di. Jo, akoma s'kanë marrë dëmshpërblim. I kanë marrë ato, kanë bërë, këtu kanë parë gjërat, po thanë që do t'i japin, po akoma për të marrë s'kemi marrë asgjë. Asgjë.

Janë të shumta me të thënë të drejtën, po apel sigurisht që kemi, sepse kështu nuk po dimë të rrimë më në shtëpi apo jo. Vjet e rregulluam me borxhe, pa borxhe, e bëmë këtë, prapë është ka ikur uji. Tashti s'të bën më zemra të hysh në shtëpi ashtu, nuk bën më. Kështu që nuk e di, nuk e di. Kemi 30 vite që s'ka pasur përmbytje absolutisht. S'ka pasur asfalt, ka qenë më keq si si infrastrukturë, po s'kemi pasur përmbytje. Ka dy vjet që është shumë problem. 

Asnjë lloj arsyeje, thjesht shiu nga lart edhe kaq. S'ka arsye fare. Thjesht na thanë që do marrë dëmshpërblim po jo, nuk është akoma. Dje në fakt këtu te rruga kam parë nja dy punonjës të bashkisë, po shikonin këtu, po këtu nuk kanë ardhur këtu, sepse thanë është shumë ujë, nuk vijmë dot atje. Kur të iki uji do vijmë. Kështu që, nuk e di, nuk e di. Situata është shumë, shumë e keqe, shumë e vështirë. Me thënë të drejtën, nuk e di si do ja bëjmë. Këtu s'ka njeri, jo. Po rrimë këtu në kat të dytë, këtu se jemi dy vëllezër, katër vëllezër, dy këtu, dy këtu. Rrimë ca lart, ca fëmijët e vëllait kanë ikur te motra se s'kemi dhe aq shumë vend që të rrimë të gjithë aty.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco