Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Berat/ Hidhet Kryqi i Ujit të Bekuar, 10 të rinj sfidojnë ujërat e akullta të Osumit

Berat/ Hidhet Kryqi i Ujit të Bekuar, 10 të rinj sfidojnë ujërat e akullta të Osumit

11:00, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tradita e shenjtë e hedhjes së Kryqit të Ujit të Bekuar u kremtua edhe këtë vit në qytetin e Beratit, duke mbledhur qindra besimtarë të krishterë në brigjet e lumit Osum. Në ceremoninë e 6 Janarit, që simbolizon Pagëzimin e Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, 10 të rinj u hodhën në ujërat e akullta të lumit për të kapur kryqin, mes tyre edhe një fëmijë 8-vjeç.

Ceremonia nisi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku u kryen ritet fetare. Nën tingujt e këmbanave, Imzot Asti, me kryqin në dorë, iu drejtua lumit Osum për hedhjen e kryqit, simbol i kësaj feste të shenjtë për besimtarët.

Kryqi i Ujit të Bekuar u kap këtë vit nga 15-vjeçari Fabio Naço, banues në lagjen Goricë të Beratit. Siç e do tradita, Kisha dhe Mitropolia e shpërblyen simbolikisht të riun me 150 mijë lekë (të vjetra).

Pas ceremonisë, Fabio Naço, me kryqin e bekuar në dorë, viziton shtëpitë e lagjeve Goricë, Mangalem dhe Kala, ku banorët “dorovisin” kryqin sipas zakonit. Ndërkohë, besimtarët iu drejtuan Kishës për të mbushur enë me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpitë e tyre dhe e ruajnë gjatë gjithë vitit, duke besuar se ai shërben për shërimin e shpirtit dhe trupit.

Dita e Ujit të Bekuar mbetet një nga festat më të rëndësishme për komunitetin e krishterë beratas, e përcjellë çdo vit me devocion, traditë dhe pjesëmarrje të gjerë të besimtarëve.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco