VIDEO-SYRI TV/ Në zemër të pazarit të Gjirokastrës, ku druri merr jetë nga mjeshtri Viktor Nurçe

20:31, 02/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në zemër të pazarit, ku druri merr jetë!

Aty ku historitë e gurit dhe drurit flasin nga çdo qoshe, qëndron punishtja e mjeshtrit Viktor Nurçe, një nga zërat e rrallë të artizanatit tradicional shqiptar, që ushtron zanatin e drugdhendjes.

Viktori ka dedikuar mbi 30 vite të jetës së tij punës me drurin, duke dhënë jetë formave dhe motiveve që pasqyrojnë historinë dhe bukurinë e banesave shekullore të Gjirokastrës.

Por për mjeshtrin Viktor Nurçe, zanati nuk është vetëm punë, por trashëgimi. Në punishten e vogël, mes veglave dhe copave të drurit, hapat e parë po i hedh edhe djali i tij 9-vjeçar, të cilit ai po ia mëson me kujdes sekretet e drugdhendjes. Një përpjekje e vogël familjare, por me domethënie të madhe për ruajtjen e traditës.

Viktori thekson se artizanati nuk duhet të mbetet vetëm në duart e disa mjeshtrave të vjetër, por duhet të përfshihet në programet shkollore, në mënyrë që nxënësit të njihen që herët me zanatet tradicionale, vlerën e punës me dorë dhe trashëgiminë kulturore. Sipas tij, vetëm kështu këto profesione nuk do të zhduken, por do të vazhdojnë të jetojnë nga brezi në brez.

Në mbyllje, mjeshtri Viktor Nurçe shprehet se Gjirokastra mbetet ende një qytet i pazbuluar plotësisht.

Sipas tij, pas mureve të shumë shtëpive karakteristike fshihen ornamente dhe gdhendje dekorative me motive tradicionale, punime druri të realizuara me mjeshtëri, që shpesh nuk shihen nga vizitorët e zakonshëm.

Detaje të heshtura, por me vlerë të madhe kulturore, që dëshmojnë se ky qytet ka ende histori për të treguar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco