Gjakmarrja mbetet një nga plagët më të rënda shoqërore në Shqipëri. Një fenomen i trashëguar nga e kaluara, i lidhur me keqinterpretimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe mungesën e besimit tek drejtësia, që edhe sot mban familje të tëra në hasmëri dhe frikë.
Në këtë realitet të vështirë, prej rreth 30 vitesh, 92-vjeçari Adem Isufi nga zona e Urës së Shtrenjtë në Shkodër i është përkushtuar një misioni të rrallë: pajtimit të gjaqeve mes familjeve në konflikt. Ai është pjesë e misionit mbarëkombëtar për pajtimin e gjaqeve në Shkodër, duke ndërhyrë në disa nga konfliktet më të ndërlikuara mes familjeve shqiptare.
Me fjalë të thjeshta, por me peshë të madhe morale, Isufi tregon se si e nisi këtë rrugëtim, në një kohë kur hakmarrja kishte marrë përmasa shqetësuese, veçanërisht pas viteve ’90.
Sipas tij, falja e gjakut është trimëria më e madhe që mund të tregojë njeriu. Ai thekson se besimi në Zot dhe respektimi i ligjit janë themeli i çdo shoqërie të shëndetshme.
Ai nënvizon se vetëm personi fajtor duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe se nuk është e drejtë që konflikti të shtrihet te familja apo fisi, duke kthyer gjakmarrjen në një zinxhir të pafund hakmarrjeje.
92-vjeçari ndalet edhe tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili sipas tij shpesh përdoret sot si justifikim për vrasje. Ekspertët e çështjeve sociale theksojnë se Kanuni, në formën e tij autentike, parashikonte edhe besën, ndërmjetësimin dhe pajtimin, por këto elemente sot janë zhdukur, duke mbetur vetëm dhuna.
Për Adem Isufin, gjakmarrja e sotme nuk ka më lidhje me traditën, por është kthyer në një formë kriminale.
Në fund, pajtuesi i gjaqeve ka edhe një mesazh për rininë shqiptare, të cilën e fton të mos trashëgojë urrejtjen dhe konfliktet e së kaluarës, por të zgjedhë dijen, punën dhe ligjin si rrugë përpara.
Historia personale e Adem Isufit është po aq e fortë sa misioni i tij. Gjatë regjimit komunist, ai është dënuar me 20 vite internim, një periudhë e vështirë që, sipas tij, i ka forcuar bindjen se dhuna nuk sjell drejtësi.
Në vitet e fundit, për kontributin e tij në pajtimin e gjaqeve dhe paqen sociale, 92-vjeçari është nderuar me tituj dhe çertifikata mirënjohjeje nga institucione dhe organizata të ndryshme.
Në një shoqëri që ende përballet me hijet e gjakmarrjes, Adem Isufi mbetet një shembull i gjallë se falja është më e fortë se hakmarrja, dhe se paqja nis gjithmonë nga guximi për të thënë “mjaft”.
© SYRI.net