SYRI TV/ Fermerët në Korçë në krizë: Mungon tregu për prodhimet, kemi falimentuar

19:28, 31/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Bujqësia shqiptare po përjeton një nga periudhat më të vështira të dekadës së fundit. Fermerët po përballen me rritje të fortë të kostove, mungesë tregu dhe mbështetje minimale nga shteti.  Odhimi shpesh mbetet pa u shitur, ndërsa fitimi është gjithnjë e më i vogël.

Në shumë zona rurale, toka po braktiset dhe blegtoria po zhduket. Statistikat zyrtare tregojnë rënie të kontributit të bujqësisë në ekonomi dhe ulje të numrit të fermerëve aktivë. Korça, një nga zonat tradicionale bujqësore të vendit, është sot shembulli më i qartë i kësaj krize. Fermerët flasin për falimentim dhe mungesë shprese.

Eshref Fasho është një fermer që e gjejmë duke shitur produktet e tij bujqësore anës rrugës nacionale. Edhe pse i sëmurë, Eshrefi vijon t’i vijë në ndihmë familjes dhe bashkëshortes. Ai na tregon se këtë vit kishte mbjellë domate, fasule dhe në një pjesë të tokës, prej vitesh, kultivon mollë.

Ndonëse ka pasur shpenzime të mëdha me farat, të cilat janë të shtrenjta, Fasho na tregon se këtë vit nuk pati treg për domaten. Megjithëse me vështirësi, ai rrëfen se i ka plotësuar bimës çdo nevojë. “Me kilogram i kam shitur,” – shprehet ai, ndërsa na tregon duart nga grumbullimi I të hollave.

Ky është realiteti i një sektori që po mbijeton mes indiferencës institucionale. Sipas të dhënave të INSTAT, bujqësia shqiptare ka pësuar një tkurrje të ndjeshme strukturore gjatë dekadës së fundit.

Në vitin 2015, bujqësia kontribuonte me rreth 19–20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vitin 2024 ky kontribut ka rënë në rreth 16–17%. Megjithatë, mbi 33% e forcës punëtore në vend vijon të jetë e punësuar në bujqësi, duke treguar një produktivitet të ulët të sektorit.

Blegtoria ka shënuar rënie drastike. Numri i gjedhëve ka rënë nga rreth 500–520 mijë krerë në vitin 2015,  në rreth 350–370 mijë krerë në vitin 2024.

Blegtoria në juglindje po përballet me një krizë të thellë, ku fermerët e shohin mbështetjen shtetërore si krejtësisht të pamjaftueshme. Aktualisht, ata përfitojnë vetëm 1200 lekë për kokë për tufat me mbi 100 krerë, një shumë që nuk mbulon as kostot bazë të ushqimit dhe kujdesit për bagëtitë.

Edhe më e fortë është rënia tek bagëtitë e imta, nga mbi 3.1 milionë krerë në vitin 2015, në rreth 1.7–1.9 milionë krerë në vitin 2024. Prodhimi i qumështit ka rënë nga mbi 1 milion ton në vitin 2015, në më pak se 900 mijë ton në vitin 2024, ndërsa çmimi për fermerin mbetet i ulët, rreth 100–120 lekë për litër.

Një pjesë e blegtorëve nuk kanë marrë asnjëherë subvencione, pasi nuk arrijnë të plotësojnë kriteret burokratike të vendosura nga Ministria e Bujqësisë.

Ndërkohë, importet e produkteve bujqësore dhe ushqimore janë rritur ndjeshëm, duke e vështirësuar konkurrencën për prodhimin vendas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco