Viti i ri në mjerim i familjes Seiti në Rrodokal të Pogradecit: 5 persona në një dhomë e tryeza bosh

09:51, 31/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa për shumë familje festat e fundvitit sjellin dritë, ngrohtësi dhe gëzim, për familjen Seiti në fshatin Rrodokal të Pogradecit, realiteti mbetet i zymtë dhe i dhimbshëm. Prej vitesh, kjo familje jeton në mjerim total, pa të ardhura, pa kushte minimale jetese dhe pa shpresë për ditë më të mira.

Pesë anëtarë të familjes, mes tyre tre fëmijë të moshave 18, 16 dhe vetëm 5 vjeç, jetojnë të gjithë në një dhomë të vetme, në një banesë shumëvjeçare që rrezikon shembjen. Tryeza është e boshatisur dhe frigoriferi shpesh pa asgjë për të ngrënë.

Kryefamiljari Ardjan Seiti tregon për SYRI TV se prej vitesh familja po përballet me vështirësi ekstreme. Ai shprehet se pas një aksidenti gjatë punës në Maqedoni, ku preu një gisht, mbeti pa punë dhe, pavarësisht përpjekjeve për t’u rikthyer, u refuzua nga punëdhënësit.

I prekur emocionalisht, Ardjani thotë se sot nuk ka asnjë mundësi për të siguruar ushqimin e përditshëm për familjen.

Mes lotësh, ai rrëfen se djali i tij 16-vjeçar, i detyruar të punonte si lavazhier për të ndihmuar familjen, u aksidentua me motor gjatë kthimit nga puna, duke thyer një krah dhe një këmbë. Tashmë i riu duhet të qëndrojë i shtrirë për një kohë të gjatë, ndërsa paratë për operacionin u siguruan borxh.

“Edhe këto para duhet t’i shlyej, por nuk kam punë”, shprehet ai.

Bashkëshortja e tij, Nora Seiti, e sëmurë dhe e rrënuar emocionalisht, nuk i përmban dot lotët. Ajo thotë se shpesh detyrohen të flenë pa ngrënë, ndërsa fëmijët qajnë nga uria.

“Në frigorifer kemi vetëm disa domate. Fqinjët na sjellin ndonjë gjë për të ngrënë, por kështu nuk jetohet”, shprehet ajo, duke shtuar se Viti i Ri për ta nuk do të sjellë festë, por vetëm pasiguri dhe frikë.

Familja Seiti kërkon ndihmë urgjente, të paktën për një strehë të sigurt, pasi banesa ku jetojnë rrezikon të shembet dhe frika se muret mund t’u bien mbi kokë është e përditshme.

Ata apelojnë për ndërhyrje nga institucionet, organizatat humanitare dhe çdo qytetar që mund të ndihmojë, për t’u dhënë fëmijëve një mundësi për të jetuar me dinjitet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco