Ditet e fundit të vitit sjellin një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që paraqiten në Urgjencën e Elbasanit. Sipas Drejtorit të Urgjencës, Ergys Mici, kjo është rezultat i konsumimit të tepruar të alkoolit, ushqimeve të shumta dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, sidomos nga qytetarët më të moshuar ose me sëmundje shoqëruese.
Mici shpjegon se numri i pacientëve që vizitojnë urgjencën brenda 24 orëve arrin deri në 250-300 persona. Nga këta, pjesa më e madhe janë të prekur nga trauma të ndryshme, aksidente automobilistike apo lëndime nga fishekzjarret, ndërsa virozat e stinës përbëjnë një numër relativisht më të ulët.
Drejtori i Urgjencës, Ergys Mici, apelon që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve:
Të mos teprohet me konsumimin e alkoolit, sidomos për drejtuesit e automjeteve;
Të përdoren kapsollat dhe fishekzjarret me kujdes për të shmangur trauma;
Të tregojnë kujdes të shtuar ndaj të moshuarve dhe personave me sëmundje shoqëruese si të zemrës ose tensioni.
Mjeku rikujton se festimet mund të jenë të gëzueshme, por kujdesi mbetet thelbësor për të shmangur incidente dhe për të siguruar që fundviti të kalojë pa probleme shëndetësore.
© SYRI.net