Të shkosh në shtëpi për Krishtlindje mund të ketë një ndikim "të thellë" në dietë, paralajmëron një studim i ri. Sipas shkencëtarëve, vizitat familjare gjatë festave mund të ndryshojnë edhe mënyrën se si mendojmë për ushqimin.
Studimet e mëparshme kanë treguar se familja dhe mënyra si jemi rritur ndikojnë shumë te zakonet ushqimore dhe marrëdhënia jonë me ushqimin. Këto ndikime janë aq të forta, sa për disa njerëz vizitat te familja, sidomos te prindërit, kthehen në një burim stresi gjatë Krishtlindjeve.
Profesorja Jane Ogden, eksperte britanike për psikologjinë e të ushqyerit nga Universiteti i Surrey-t, studion ndikimin e marrëdhënieve familjare te mënyra si hamë. Në librin e saj të ri, "Si të ushqehemi mirë në çdo moshë", ajo shpjegon se familja ku jemi rritur formëson qëndrimet tona ndaj ushqimit për gjithë jetën. Sipas saj, prindërit luajnë një rol kyç në mësimin e fëmijëve se çfarë, kur dhe si të hanë.
"Fëmijët e të gjitha moshave mësojnë nga prindërit se sa dhe çfarë të hanë. Deri rreth moshës 12 vjeç, prindërit janë modeli kryesor," thotë Ogden. Edhe më vonë, edhe pse duket sikur shokët bëhen më të rëndësishëm, fëmijët vazhdojnë të vëzhgojnë prindërit.
Ndikimi i prindërve shtrihet edhe te mënyra si fëmijët e shohin trupin dhe aktivitetin fizik. Modelet pozitive krijojnë zakone të shëndetshme afatgjata. Ushqimi i përbashkët ka edhe ndikim psikologjik: bashkon njerëzit, përmirëson humorin dhe krijon kujtime.
Megjithatë, gjërat ndërlikohen kur qëndrimet ndaj ushqimit janë negative ose kur përdoren etiketime si "ushqime të mira" dhe "të këqija". Kjo gjuhë mund të sjellë ndjenjë faji dhe turp, duke çuar në mbingrënie. Ogden sugjeron një qasje të balancuar: ushqime "të shpeshta" dhe "të rastit", me theks te moderimi.
Ajo këshillon vetëdhembshuri gjatë festave, duke kujtuar se ushqimi është edhe për shoqërim, jo vetëm për kalori. Për të moshuarit që hanë pak, festat janë një mundësi e mirë për t'u siguruar që të hanë një vakt të gatuar në shtëpi. / Talker News – Syri.net
© SYRI.net