A është demokracia gjithmonë e lidhur me të vërtetën? Pse mund të na duhet të zbusim pikëpamjet tona për të shëruar ndarjet

A është demokracia gjithmonë e lidhur me të vërtetën? Pse mund të na duhet të zbusim pikëpamjet tona për të shëruar ndarjet

17:15, 26/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Frank Chouraqui

Gjendemi në mes të një krize të së vërtetës. Besimi te institucionet publike të dijes (shkollat, mediat tradicionale, universitetet dhe ekspertët) është në nivelin më të ulët, ndërsa gënjeshtarë të paskupullt po fitojnë mbështetje politike në mbarë botën. Duket se, si shoqëri, kemi reshtur së u kujdesuri për të vërtetën.

Nervoziteti i demokratëve përballë kësaj krize njohjeje bazohet pjesërisht në një supozim të përhapur: se ideja e demokracisë varet nga vlera e së vërtetës. Por edhe ky supozim ka koston e vet. Fatkeqësisht, prirja demokratike për ta theksuar tepër vlerën e së vërtetës bie ndesh me kërkesa të tjera demokratike. Kjo na çon në kundërthënie që shfrytëzohen nga armiqtë e shoqërive të hapura.

Filozofët kanë dhënë disa argumente për këtë lidhje mes së vërtetës dhe demokracisë. Më i përhapuri është edhe më i thjeshti: demokracia përfaqëson gjithçka që na pëlqen, dhe e vërteta është një prej tyre.

Por ka edhe mënyra më të sofistikuara për ta shpjeguar këtë. Filozofi gjerman Jürgen Habermas argumenton se një demokraci e shëndetshme ka një kulturë diskutimi, dhe diskutimi kërkon "pretendime vlefshmërie". Kur flasim për politikën, duhet të përpiqemi të sigurohemi që ajo që themi është e vërtetë.

Në mënyrë të ngjashme, Maria Ressa, gazetare nga Filipinet dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqe, thotë se demokracia ka nevojë për të vërtetën sepse: "Pa fakte, nuk mund të ketë të vërtetë. Pa të vërtetë, nuk mund të ketë besim. Pa të tria, nuk kemi realitet të përbashkët dhe demokracia ashtu siç e njohim dhe çdo përpjekje njerëzore me kuptim vdes."

Por a na duhet vërtet e vërteta për të pasur një realitet të përbashkët? Në praktikë, shumica e përvojave tona të realitetit të përbashkët nuk lidhen drejtpërdrejt me të vërtetën. Mendoni për mitet, ndjenjat fqinjësore, ndjesinë e komunitetit, ndoshta edhe fenë, dhe sigurisht realitetin më të përbashkët nga të gjithë: vetë kulturën. Është e vështirë të thuhet se ndajmë realitetin kulturor sepse kultura jonë është e vërtetë apo sepse besojmë se është e vërtetë.

Disa mund të thonë se demokracia është e lidhur me të vërtetën sepse e vërteta është disi neutrale. Sigurisht, dyshimi populist ndaj ekspertëve shpesh shprehet me gjuhë demokratike: vlera e së vërtetës përdoret për të mbështetur atë që quhet "tirania e ekspertëve".

Por një pikë kyçe këtu është se ekspertët që synojnë të thonë të vërtetën, ndryshe nga gënjeshtarët apo populistët e "pas së vërtetës", duhet të jenë të përgjegjshëm. Ata janë të detyruar nga rregullat e së vërtetës. Prandaj, demokracia mund të jetë më shumë e lidhur me përgjegjshmërinë sesa domosdoshmërisht me të vërtetën.

"Përpjekje kuptimplota njerëzore"

Sido që të jetë, problemi mbetet, ashtu siç e pranojnë edhe vetë Ressa dhe Habermas: qëllimi i demokracisë është të promovojë "përpjekje kuptimplota". Demokracia synon të ndërtojë një botë ku njerëzit mund të jetojnë si njerëz. Dhe kjo praktikisht nuk mund të arrihet vetëm me të vërtetën.

Një jetë vërtet njerëzore kërkon jo vetëm njohjen e fakteve për realitetin, por edhe një kuptim subjektiv të botës dhe të vendit tonë në të. Shpesh harrojmë se, edhe pse shpesh ecin bashkë, këto dy kërkesa mund edhe të bien ndesh. Kjo sepse e vërteta merret me fakte, ndërsa kuptimi me interpretime.

Kuptimi, ndryshe nga dija, lidhet me mënyrën si e shohim botën, me zakonet tona të të menduarit dhe me ndërtimet kulturore, kryesisht identitetet, vlerat dhe institucionet. Këto na ndihmojnë të ndihemi "si në shtëpi" në botë, pa pretenduar të jenë të vërteta.

Shpesh, fryma demokratike i hedh poshtë këto si paragjykime apo bestytni. Mbrojtësit e së vërtetës demokratike do të bënin mirë të kujtonin se bota që demokracia përpiqet të ndërtojë është një botë e përpjekjeve njerëzore me kuptim, jo vetëm e dijes së thatë dhe kërkimit të fakteve.

Ngjarjet e kohëve të fundit kanë treguar se neglizhimi i kësaj sjell pasoja të rënda politike. Këmbëngulja tek e vërteta dhe zhvlerësimi i kuptimit kanë çuar në depresionin modern të njohur si ndjenjë tjetërsimi, një shkëputje e lidhjeve shoqërore, historike dhe tradicionale mes nesh dhe me veten tonë.

Ky tjetërsim ka krijuar terren për populistët dhe anti-demokratët, të cilët paraqiten si zgjidhje e krizës së kuptimit. Nuk është rastësi që temat e përsëritura të populizmit bashkëkohor janë përkatësia, tradita, identiteti, origjina dhe nostalgjia.

Po përjetojmë një krizë të së vërtetës, por po përballemi edhe me një krizë të kuptimit. Kur e theksojmë tepër të vërtetën në kurriz të kuptimit, nxisim ndjenjën e tjetërsimit dhe ia dorëzojmë publikun armiqve të tij. Në vend të kësaj, mund të kujtojmë se përkushtimi ndaj së vërtetës është vetëm një kusht, dhe shumë i pjesshëm, për një jetë vërtet njerëzore, mes shumë të tjerëve, dhe t'i ndërtojmë demokracitë tona mbi këtë bazë. / The Conversation – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco