Në fund të çdo viti, mes blerjes së dhuratave dhe teprimit me ushqim, amerikanët zakonisht kujtohen për bamirësi. Por duket se në vitin 2025 më pak njerëz do të japinpara sesa në vitet e mëparshme. Për këtë, mund të duket e lehtë t'ia hedhësh fajin presidentit Donald Trump dhe sulmeve të tij ndaj shoqatave të bamirësisë. Por realiteti është më i ndërlikuar.
Sipas Fundraising Effectiveness Project (FEP), një ofrues të dhënash, numri i donatorëve në SHBA ra me rreth 3% në nëntë muajt e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo i vendos organizatat e bamirësisë drejt vitit të pestë radhazi me rënie të numrit të donatorëve. Edhe mes të pasurve, dhurimi po bie shpejt. Një anketë e Bank of America tregon se përqindja e familjeve me pasuri mbi 1 milion dollarë që dhurojnë ka rënë nga 91% në vitin 2015 në 81% në vitin 2024.
Kjo po e vështirëson edhe më shumë situatën e organizatave jofitimprurëse. Dhurimet totale në SHBA, nga individë, kompani, fondacione dhe trashëgimi, u rritën vetëm me 3.3% në terma realë në vitin 2024, duke arritur pak mbi 590 miliardë dollarë, sipas raportit vjetor Giving USA të Universitetit të Indianës. Kjo erdhi pas një periudhe rënieje pas pandemisë COVID-19. Edhe fondet qeveritare po pakësohen. Ndërsa vendimi i Trump-it për të mbyllur agjencinë zyrtare amerikane të ndihmës mori vëmendje të madhe, vende të tjera të pasura po i reduktojnë ndihmat në heshtje. Sipas OECD-së, ndihma zyrtare për zhvillim nga donatorët më të mëdhenj botërorë ra për herë të parë në gjashtë vjet në vitin 2024.
Çfarë qëndron pas rënies së dhurimeve? Trump ka luajtur rol. Që nga rikthimi në detyrë në janar, ai ka sulmuar disa organizata bamirësie duke i quajtur të panevojshme ose të politizuara, dhe ka etiketuar kauza si ndryshimet klimatike, arsimi i lartë dhe diversiteti si anti-MAGA. Pas vrasjes në shtator të Charlie Kirk-ut, një aktivist konservator, Shtëpia e Bardhë urdhëroi agjencitë e rendit të "shpërbëjnë e të shkulin" rrjete të dyshuara për mbështetje të terrorizmit të brendshëm, përfshirë edhe shoqata bamirësie dhe fondacione. Në shtator, Departamenti i Drejtësisë nisi hetime ndaj Open Society Foundations, të financuara nga George Soros. Thad Calabrese nga Universiteti i Nju Jorkut thotë se për disa njerëz, dhurimi për disa kauza "duket sikur po i vë vetes një shënjestër në shpinë".
Megjithatë, Trump nuk është i vetmi shkak. Pjesa e amerikanëve që dhurojnë para ka rënë për të paktën një dekadë, edhe në periudha kur Trump nuk ishte president. Një shpjegim mund të jetë shqetësimi për koston e jetesës. Edhe pse pagat janë rritur realisht, shumë amerikanë janë të shqetësuar për çmimet. Gati gjysma e të anketuarve nga McKinsey në nëntor thanë se shqetësohen për rritjen e çmimeve; gati një e katërta kanë frikë se mezi ia dalin financiarisht. Arsyeja më e zakonshme pse amerikanët nuk dhuruan në vitin 2024 ishte se nuk e përballonin dot. Walter Kerr nga Unlock Aid thotë se këto shqetësime kanë bërë që shtresa e mesme të mos ndihet më rehat për të dhuruar.
Edhe rënia e besimit fetar ka ndikim. Shumë fe i nxisin ndjekësit të jenë bujarë. Amerika ka qenë historikisht një nga vendet më bujare mes vendeve të pasura për shkak të besimit. Por një anketë e Gallup tregon se besimi fetar po bie më shpejt në SHBA se në çdo vend tjetër që ajo ka studiuar. Dhurimet për organizata fetare, që në fund të viteve 1980 përbënin shumicën e dhurimeve, ranë në më pak se një të katërtën e totalit në vitin 2024.
Në përgjithësi, sektori jofitimprurës po mbështetet te më pak donatorë për të dhënë më shumë. Amir Pasic nga Shkolla e Filantropisë në Universitetin e Indianës shpreson për një skenar "më shumë para, por më pak donatorë". Kjo nuk është e lehtë. Supertë pasurit e rinj janë kryesisht themelues të teknologjisë, ende të fokusuar te ndërtimi i pasurisë. Ndërkohë, lëvizja e "altruizmit efektiv" është dobësuar që nga burgosja e mbështetësit kryesor, Sam Bankman-Fried. Grantet e kësaj lëvizjeje do të arrijnë 863 milionë dollarë në 2025, nga mbi 1 miliard në 2022.
Megjithatë, një grup i vogël donatorësh shumë bujarë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Sipas FEP, donatorët "super të mëdhenj", që japin mbi 50 mijë dollarë, përbëjnë vetëm 0.4% të donatorëve, por kanë dhënë mbi 50% të totalit të dhurimeve në nëntë muajt e parë të 2025-s. Disa dhurues të njohur kanë reaguar ndaj presionit të Trump-it ndaj organizatave jofitimprurëse duke dhuruar edhe më shumë. Fondacioni Gates njoftoi se do të shpenzojë 200 miliardë dollarë në 20 vitet e ardhshme. Mackenzie Scott, ish-bashkëshortja e Jeff Bezosit, dhuroi 7 miliardë dollarë këtë vit. Por për fat të keq, këta donatorë të mëdhenj nuk duket se po frymëzojnë njerëzit me më pak të ardhura. / The Economist – Syri.net
© SYRI.net