Banorët e fshatit Boçovë në Fier janë rikthyer sërish në protestë duke kundërshtuar ndërtimin e paneleve diellore në tokat e tyre bujqësore. Ata shprehen se jetesa e tyre varet nga këto toka dhe theksojnë se nuk do të ndalen duke përshkallëzuar protestat
Syri TV
Dhjetëra banorë janë mbledhur sërish sot në fshatin Boçovë në Fier për të protestuar, pasi në tokat e tyre bujqësore janë duke u ndërtuar panele diellore nga kompania “Bervi Construction”.
Banorët kanë kërkuar që t’u rikthehen tokat e tyre, pasi jetesën e kanë të bazuar në kultivimin e tyre. Banorët kanë kërkuar nga Prokuroria e Fierit të hetojë sa më shpejt çështjen e tyre, ndërkohë që thirrja i është drejtuar edhe kreut të ri të SPAK, Klodian Braho.
Përveç përfaqësuesve të 14 familjeve që u janë marrë tokat, pjesë e protestës janë bërë edhe banorë të fshatrave të tjerë të njësisë administrative Levan, të cilët e konsiderojnë këtë zonë si njësinë më të korruptuar në vend, sa u përket problematikave me tokat. Banorët shprehen se janë të vendosur në kauzën e tyre dhe nuk do të lejojnë rrëmbimin e tokave bujqësore.
Prej më shumë se një viti, prona e 14 familjeve figuron në emër të kompanisë “Bervi Construction”, ndërkohë që këto toka ua ka dhënë shteti me tapi të rregullt. Banorët kanë kërcënuar me vetëgjyqësi, nëse nuk merren masa nga institucionet përkatëse për t’i dhënë zgjidhje problemit të tyre.
© SYRI.net