Shkodër/ Plani vendor rrezikon shkatërrimin e qendrës historike, ekspertët japin alarmin

17:04, 20/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një grup arkitektësh, urbanistësh, inxhinierësh dhe piktorësh janë mbledhur në Shkodër për të ngritur shqetësimin mbi fatin e qendrës historike të qytetit. Në fokus të diskutimit ishte plani i detajuar vendor, i cili sipas ekspertëve paraqet rrezik serioz për shkatërrimin e trashëgimisë historike dhe urbane të Shkodrës.

Sipas arkitektit Zef Çuni, plani i detajuar vendor bie ndesh me legjislacionin shqiptar dhe hap rrugën për zhdukjen e zonës historike, duke cenuar identitetin e qytetit. Çuni thekson se ndërhyrjet e parashikuara janë të papranueshme në një zonë me status të mbrojtur.

'Plani i detajuar vendor është totalisht në shkelje të të gjitha ligjeve."

Edhe inxhinierja Zenepe Dibra ka ngritur alarmin për ndërhyrjet në qendrën historike, të cilat sipas saj janë të ndaluara me ligj. Ajo kujtoi se disa monumente kulture në Shkodër ndodhen tashmë në gjendje të rëndë dhe rrezikojnë shkatërrimin e plotë.

Gjatë takimit u theksua gjithashtu mungesa e plotë e dëgjesave publike për këtë plan, ndërkohë që ai është miratuar nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pa një proces transparent dhe gjithëpërfshirës me komunitetin dhe specialistët e fushës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco