Unë jam Jonida Mukja.
Prej XX vitesh punoj gazetare te Piranjat.
Këtë javë arritëm të mbyllim me sukses një investigim të vështirë që u kthye në mision të pamundur – bashkimin e Afërditës me djalin e saj, pas 7 vitesh.
Ajo që patë ju, është se sa e vështirë është të çosh të drejtën në vend edhe kur ke vendim gjykate, edhe kur ke të drejtë morale dhe biologjike.
Ajo që nuk patë, është ajo që nuk e kap dot kamera: orët e gjata e rraskapitëse të punës, telefonatat pa fund, presionet, injorimi, shpesh edhe kërcënimet që merr një gazetar kur i futet një historie të tillë.
Dhe mbi të gjitha, indiferenca, ftohtësia, arroganca dhe papërgjegjshmëria e institucioneve, punën e të cilave shpesh na duhet ta bëjmë ne, gazetarët
Ditën e parë që takova Afërditën dhe mësova të vërtetën e saj të dhimbshme, i dhashë fjalën që do të shkoja me të deri në fund.
Jam nisur drejt Burrelit si gazetare.
Por gjërat ndryshuan dhe vendin e gazetares e zuri gruaja gazetare, nëna gazetare. Udhëtim pas udhëtimi, gjithçka u kthye në një mision – bashkimi i nënës me djalin.
Kur ndodh ky proces vendosemi përpara një dileme: a duhet të sillemi si gazetare apo si misionare? Pa kompromentuar standardet e profesionit, a mund t'ia lejojmë vetes të ndjejmë empati për atë që lufton për të drejtën e mohuar?
Këtu te Piranjat ka gazetare që kanë mbajtur në shtëpi të vet viktimat e dhunës, që kanë shpëtuar nga kthetrat e abuzuesve vajza të mitura, duke rrezikuar jo pak kur institucionet heshtnin.
Sonte do ju them diçka të dhimbshme por të vërtetë. Mes qindra mesazheve mbështetëse për Afërditën, më kanë ardhur dhjetëra mesazhe nënash që nuk i shohin prej vitesh fëmijët e tyre.
Nëna që jeta i ka përplasur mes dallgësh të pamëshirshme, dhe kanë marrë mbi vete hakmarrjen e ish-partnerëve ose familjarëve të tyre, aty ku një nëne i dhemb më fort: te fëmija.
Me dhjetëra!
Edhe ato, kërkojnë ndihmë.
Për shumë njerëz, numri i gazetarit është më i rëndësishëm se ai i policisë.
Sepse, ndryshe nga shumë institucione që mbyllen në orën 4 dhe nuk të hapin telefonin, gazetari nuk ka orar. Në këtë vend, telefoni i gazetarit është shpesh institucioni i vetëm që nuk pushon.
Ne vijmë në punë çdo ditë në mëngjes, kthehemi vonë në darkë. Telefonatat, ankesat, problemet na ndjekin deri sa flemë gjumë.
Kam XX vjet te Piranjat. Kur na pyesin, themi "jemi në punë". Por pas kaq vitesh, kjo pushon të jetë thjesht punë.
Bëhet mision.
Raste si i Afërditës kemi çdo javë. Disa duan muaj investigimi. Një pjesë nuk zgjidhen. Heshtja e institucioneve ose pushteti i keqbërësve është më i fortë se puna jonë.
Por sot është një ditë e mirë.
Një fëmijë do të flejë me nënën e vet.
Është një nga ato pakta net që unë mund ta bëj gjumin e qetë.
Derisa të vijë nëna tjetër.
© SYRI.net