Në mungesë të investimeve në arsim profesional në vendin tonë, modeli i arsimit profesional në Prizren po shërben si alternativë reale për të rinjtë nga Shqipëria verilindore. Një prej tyre është Orges Hasanaj, një 16-vjeçar nga Tropoja, prej dy vitesh është nxënës në degën e Mekanikës pranë Qendrës së Kompetencës “11 Marsi” në Prizren
SYRI TV
Në mungesë të shkollave profesionale në qarkun e Kukësit, shumë të rinj nga zona e verilindjes janë detyruar të regjistrohen në sistemin arsimor profesional të Kosovës. Orges Hasanaj, një 16-vjeçar nga Tropoja, prej dy vitesh është nxënës në degën e Mekanikës pranë Qendrës së Kompetencës “11 Marsi” në Prizren. Përveç shkollës, tre ditë në javë ai punon si automekanik në një servis në qytet, me pagesë mujore, duke praktikuar në terren atë që mëson në bankat e shkollës.
Sipas drejtuesve të arsimit profesional në Prizren, kushtet për shkollim janë më të mira, ndërsa modeli i mësimdhënies duale, kombinimi mes teorisë dhe praktikës në terren, luan rol kyç në formimin profesional të nxënësve.
Rëndësinë e punës praktike e thekson edhe biznesi privat, i përfshirë drejtpërdrejt në arsimin dual.
Qendra e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren është shkolla më e madhe profesionale në Kosovë, e frekuentuar nga rreth 1500 nxënës. Ajo ofron mësim në 18 profile profesionale, të organizuara sipas katër drejtimeve kryesore: automekanikë, elektronikë, ndërtimtari dhe artet e aplikuara. Modeli i arsimit profesional në Prizren po shërben si alternativë reale për të rinjtë nga Shqipëria verilindore, të cilët përballë mungesës së investimeve në arsim profesional në vendin e tyre, po gjejnë mundësi konkrete formimi dhe punësimi përtej kufirit.
© SYRI.net