'Po dënohemi se jemi demokratë'/ Banorët në fshatin Qinam kundër parkut fotovoltaik që u merr kullotat e vetme

11:22, 29/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rreth 3.5 hektarë tokë kullotë për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Vendimi, i marrë në Këshillin Bashkiak, sipas banorëve është marrë në mungesë totale të konsultimit me komunitetin lokal, që prej vitesh e përdor këtë zonë si hapësirë të vetme kullotash për bagëtitë.

Kjo sipërfaqe konsiderohet thelbësore për ritmin e përditshëm të punës së qindra familjeve që merren me blegtori, aktivitet që prej dekadash është baza ekonomike e fshatit. Banorët theksojnë se në këtë zonë kullosin çdo vit mijëra krerë bagëti, përfshirë edhe lopët e qumështit që shumë familje i mbajnë pranë shtëpive dhe nuk i ngjisin në zonat malore. Humbja e kullotave, sipas tyre, e bën të pamundur vazhdimin e aktivitetit blegtoral.

Një prej fermerëve shprehet i indinjuar nga vendimi: “Jam fermer. Kam 20 krerë lopë. Tashi, këto panelet që kanë vendosur, ky bashkiak që kemi ne, që ai si emër nuk do zënë se është turp. Ai ka disa virtyte që nuk i përshtaten një njeriu. Ne kemi problem se zihen kullotat e këtij fshati, se ne pastaj, edhe këto familje me 10 fermerë, do të ngarkohen e të ikin. Me atë kryebashkiak që kemi, me atë që po dëgjojmë, që të jesh fermer, të kesh 20 krerë lopë, edhe të marrin dhe të dënojnë si partiak se jemi me PD. Të dënohem unë se jam demokrat dhe nuk më ka dalë emri për subvencione, kjo qeveri i bën këto…”

Fermerët shtojnë se një vendim i tillë i lë pa zgjidhje sidomos gjatë dimrit, kur bagëtia nuk mund të qëndrojë larg dhe kërkon një hapësirë të afërt kullote. Ata paralajmërojnë se, nëse projekti zbatohet, do të detyrohen të shesin bagëtinë dhe aktiviteti bujqësor e blegtoral në fshat mund të marrë fund.

Një tjetër banor i fshatit e përshkruan situatën kështu: “Çështjen e kullotave i kemi të ndara dhe tani duan të na i marrin dhe t’na i bëjnë panele. Po u bënë panele, këtu janë 500–600 kokë lopë. Ku do të vejë kjo kullotë? Këto po na bën ky shtet. Prandaj ju lutemi të merrni masa që të mos na i marrin.”

Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe deputetët e PD-së, Ledina Alolli dhe Fidel Kreka.

Deputetja e PD Ledina Aliolli, e cila mori pjesë në protestë në mbështetje të protestës së banorëve, deklaroi: “Së bashku me Fidelin si deputet i qarkut, kemi ardhur të mbështesim banorët në këtë protestë të cilët sot ngrejnë një shqetësim të madh. Janë komunitet që merren me bujqësi dhe blegtori. Sot Bashkia e Kolonjës, 3.5 hektarë të kullotës së tyre, t’ua japë privatit për ta shfrytëzuar për panele fotovoltaike. Sot i bëj thirrje Bashkisë së Kolonjës të marrë masa urgjente për të ardhur dhe për të dëgjuar banorët dhe problemet e tyre. E gjithë jeta e tyre është ndërtuar në bujqësi dhe blegtori dhe, nëse u merren këto toka, ku do t’i çojnë bagëtitë e tyre? Banorët do të ngelen pa punë e pa ushqim, që do të thotë se ata do të gjejnë rrugë për t’u larguar nga fshati i Kolonjës.”

Komuniteti e quan vendimin të padrejtë dhe të rrezikshëm për të ardhmen e fshatit, ndërsa kërkon që institucionet të tërhiqen nga projekti dhe të nisin një proces transparent, ku banorët të kenë fjalën e tyre mbi menaxhimin e tokave që prej vitesh u shërbejnë për mbijetesë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco