Kremenar, fshati që po shuhet. Rrugët bosh, dyer të kyçura dhe banorë vetëm mbi 60 vjeç

11:08, 29/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fshati Kremenar, një nga vendbanimet më të thella të bashkisë Mallakastër, dikur i njohur për ullishtat e shumta dhe mishin e shijshëm të thundrakëve, sot po përballet me një realitet të zymtë: shpopullimin masiv. Aty ku dikur gumëzhinin ekonomitë familjare dhe kope të tëra bagëtish, sot kanë mbetur vetëm pak banesa të banuara kryesisht nga të moshuarit mbi 60 vjeç.

Fëmijët që ende jetojnë në Kremenar janë të paktë dhe për të ndjekur mësimet udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës së bashkuar në Fratar, e cila është qendra më e afërt arsimore.

Dikur, jeta ekonomike e fshatit mbështetej te ullinjtë dhe blegtoria, burime kryesore të të ardhurave për familjet. Por me mbylljen e tregjeve lokale, mungesën e hapësirave për shitje dhe largimin masiv të krahut të punës drejt emigracionit, ekonomia u shua njësoj si fshati vetë. Nga rreth 150 shtëpi që kishte dikur, sot vetëm rreth 60 prej tyre janë ende të banuara, dhe pjesa dërrmuese e banorëve janë të moshuar që jetojnë vetëm.

Rrugët janë bosh. Porta të kyçura. Oborre të heshtura ku fryn vetëm era. Në dy lagje të fshatit nuk dëgjohet as zhurma më e vogël, aq sa për të gjetur dikë duhet të trokasësh nëpër dyer, me shpresën se ende ka ndonjë banor brenda për të të hapur.

Banorët që kanë mbetur tregojnë se mungesa e punës, si dhe mospasja e tregjeve për të shitur prodhimet bujqësore, i detyroi njerëzit të marrin rrugën drejt emigracionit, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Kremenari, ashtu si shumë fshatra të tjerë të zonës së Mallakastrës, nuk i shpëtoi shpopullimit. Varfëria, mungesa e investimeve dhe shterimi i mundësive ekonomike kanë bërë që ky vend dikur plot jetë, sot të luftojë të mbijetojë vetëm me kujtimet e të vjetërve.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco