VIDEO/ 23 vite që s'merrnin shtëpinë, Bashkia Durrës ’zgjohet nga gjumi’: Nisëm procedurat për t'i dhënë banesën familjes Gega

22:35, 28/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tre javë më parë sollëm në vëmendje historinë e Sonila Gegës, e cila prej më shumë se dy dekadash nuk mund të gëzojë shtëpinë që i takon me ligj nga Bashkia e Durrësit, pasi kjo e fundit për shkak të një plani rregullues në vitin 2002 i kishte shembur shtëpinë ekzistuese, me zotimin e kryebashkiakut të kohës, Miri Hoti se do të sistemoheshin në një banesë të re. 

Pak muaj më pas me një vërtetim si të pastrehë të lëshuar nga bashkia, nëna e 7 fëmijëve dhe familja e saj, u sistemuan në ish-magazinat e Albkopit në Shkozet të Durrësit, në një banesë të rrënuar dhe pa asnjë kusht higjene, pa mur, dritare apo çati… por që në kushtet ku ndodhej familja, gjithçka ishte e pranuar për ta, mjafton të kishin shtëpinë e tyre, pavarësisht se ishte në kushte mesjetare.

Dhe sikur të mos mjaftonin sfidat e jetës dhe varfëria, prona që e fitoi me të drejtë, u kthye në një ’’mollë sherri’’ mes familjes Gega dhe fqinjëve të tyre, të cilët duke përfituar nga rasti se ata nuk ishin pajisur me certifikatë pronësie, tentuan të ia merrnin. 

Pyetja që lind natyrshëm mes gjithë kësaj paligjshmërie, është se çfarë bënë institucionet për ti dhënë zgjidhje problemit që e kishin shkaktuar vetë nga mosfunksionimi i tyre? Asgjë, vetëm e sorollaten për më shumë se 20 vite Sonilën nga njëra derë në tjetrën, pa i dhënë asnjëherë ‘Çezarit atë që i takon Çezarit’.

Kështu gruaja mbeti sa tek zyra e strehimit në Bashkinë e Durrësit, sa tek Enti i Banesave, duke u përcjellë gjithmonë nga dy drejtoreshat, pa një zgjidhje konkrete, por ndryshe nga përgjigjet që i kishin dhënë për vite e vite me radhë Sonilës, tre javë më parë pasi u takuam me to, premtuan që do ti jepnin zgjidhje problemit, që zgjati më shumë se 23 vite.

Madje dhe vetë kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, premtoi se do ta shohë rastin. Dhe kështu ndodhi, pasi një ditë pas publikimit të investigimit, Bashkia e Durrësit më në fund u zgjua nga gjumi letargjik i më shumë se dy dekadave dhe nxori nga sirtari i harresës, dokumentet që flinin në zyrat e tyre.

Në një intervistë, drejtoresha ligjore e Bashkisë së Durrësit sqaroi se ish-magazinat e Albkopit, kishin kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, dhe se në kohën që Këshilli Bashkiak i Durrësit, në vitin 2012 vendosi që shtëpia të privatizohej dhe të kalonte në emër të Armand Gegës, kjo pronë nuk ishte në asetet e bashkisë. 

Me pak fjalë, Këshilli Bashkiak ka kërkuar privatizimin e një objekti, që nuk është në pronësi të Bashkisë Durrës, duke u bërë dhe pikënisja e të gjithë konflikteve… që më në fund duket se kanë një zgjidhje, pasi Bashkia Durrës, i ka kërkuar me shkresë zyrtare Bashkisë Tiranës transferimin e kësaj prone në Bashkinë Durrës për të vazhduar procedurat e privatizimit, u shpreh zonja Rroshi. 

Një proces që tashmë ka nisur, e që kërkon kohën e tij që të konkretizohet, ndërkohë që derisa kjo të arrihet, Bashkia e Durrësit do të shohë mundësinë e ofrimit të programeve të tjera të strehimit për familjen Gega, që mund të jetë bonusi i qirasë, apo një strehim tjetër në ambientet të tjera të bashkisë.

Kaq e thjeshtë paska qenë? Për një shkresë u desh të pritej më shumë se dy dekada? Nejse, e rëndësishme është që më në fund kemi diçka konkrete dhe bashkë me të premtimin e Bashkisë Durrës për ti dhënë zgjidhje problemit dhe për të ndihmuar familjen Gega.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco