SYRI TV/ Dëme kolosale në Lezhë, 100 hektarë tokë plotësisht nën ujë

22:16, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Reshjet e shiut janë ndalur dhe prurjet në lumenj janë kthyer në normalitet, por kanalet e bllokuara kulluese janë ende një problem pasi kjo ka bërë që qindra hektarë tokë të vijojë të jetë nën pushtetin e ujit. Banorët shprehen se prodhimet e tyre janë shkatërruar.

Dëmet në bujqësi janë të pallogaritshme, qindra hektarë tokë u përfshi nga vërshimi I ujit ndërsa një pjesë vijon të jetë ende nën pushtetin e ujit. Në Lezhë edhe pas 2 ditësh nga mbyllja e argjinaturës mbi 100 hektarë tokë mbeten plotësisht nën ujë kjo për shkak se tërheqja e ujit nuk po ndodh siç pritej pasi kanalet kulluese janë në nivele shumë të larta.

Lumenjtë Vjosë dhe Seman po mbushin më shumë se 24 orë që janë rikthyer në shtratin e tyre, por pas  kanë lënë qindra hektarë të dëmtuar. Sipërfaqe të tëra toke të mbjella me kultura bujqësore të dimrit dhe pemëtari rezultojnë të përmbytura, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për dhjetëra familje fermere.

Mbi 150 hektarë tokë brenda argjinaturave të këtyre dy lumenjve që kanë pësuar dëmtime nga vërshimet. Zonat më të prekura janë fshatrat Kallëm, Arapaj, Suk1, Belinë, Jagodinë, Kashisht, Çerven dhe Ferras. Kanalet kulluese janë të mbushura dhe të pa pastruara prej vitesh. Këto toka ishin të mbjella me grurë, elb, jonxhë, pras, si dhe me sera me luleshtrydhe, ndërsa dëme të shumta ka pësuar edhe pemëtaria me ullinj, portokalle, mandarina dhe limona.

Banorët shtojnë se deri tani asnjë përfaqësues i qarkut apo institucioneve përgjegjëse nuk ka ardhur për të parë e verifikuar situatën në terren. Ata thonë se janë lodhur nga premtimet dhe se dëmshpërblimet, edhe në vitet e mëparshme, kanë qenë selektive dhe të padrejta.

Ndërsa vijon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore në Fushën e Maliqit, në fshatrat e Fierit, në fshatin Kaskollare dhe Starje në Korçë, në Devoll në Njësinë Administrative Hoçisht është ndërhyrë për sistemimin e lumit të Borshit, pasi nga çarja e tij ishin përmbytur një sipërfaqe e konsiderueshme tokash bujqësore. Ndërkohë, në Kurbin po vazhdon puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, me qëllim shmangien e problemeve të tjera për shkak të rritjes së prurjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco