Situata në të gjithë vendin, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, vijon të jetë e rënduar. Prurjet e lumenjve në janë rritur, duke shtuar rrezikun për banorët që ndodhen pranë tyre. Në Bashkinë Dimal, dalja e Osumit ka përmbytur disa banesa, me ujin që ka mbuluar thuajse tërësisht katet e para. Të rrezikuara janë edhe shumë fshatra të Bashkisë Lezhë, për shkak të çarjes së argjinaturës së Vainit në afërsi të Tales. Banorët bëjnë apel për ndihmë, përpara se situata të përkeqësohet. Probleme ka pasur edhe në Bashkinë Mirditë, ndërkohë që lumi Vjosë është në nivel alerti, duke rrezikuar daljen dhe përmbytjen e fshatrave të Fierit dhe Vlorës.
Nga SYRI TV
Moti i keq ka vijuar edhe gjatë orëve të para të kësaj të enjteje, ndërsa reshjet kanë qenë intensive thuajse në të gjitha qarqet. Prurjet e mëdha të lumenjve kanë shkaktuar problematika në disa zona, ku me dhjetëra banesa janë pushtuar nga uji, duke u përmbytur.
Dimal
Situatë mjaft e rëndë paraqitet në Dimal, atje ku disa banesa janë përshirë nga uji si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Osum. Në lagjen “Dafinat”, katet e para të 5 banesave 2–3 katëshe janë të mbuluara nga uji. Prezencë uji ka pasur edhe në oborret e dy banesave në fshatin Çiflik të kësaj bashkie, si dhe në fshatin Moravë. Po kështu, në fshatrat Arrëz dhe Çiflik të Bashkisë Dimal janë përmbytur rreth 13 ha tokë bujqësore. Banorët shprehen se dëmet janë të konsiderueshme.
Lezhë
Situatë e rënduar paraqitet edhe në Lezhë, ku është çarë argjinatura e Vainit në zonën e Tales dhe ku uji i detit është kthyer në tokat përreth, duke rritur rrezikun e përmbytjes së gjithë zonës. Si pasojë, niveli i ujit është rritur ndjeshëm dhe ka vënë në rrezik disa zona të banuara. Zejmeni, Barbulloja, Spiteni, Rrila, Myltja, Talja dhe Grykë Lumi janë zonat më të ekspozuara, ndërsa ndërhyrja në terren paraqitet e vështirë. Banorët shprehen se pikërisht kjo pjesë e argjinaturës ishte problematike prej kohësh dhe duhej të ishte forcuar më herët.
Ndërkohë, aksi rrugor Rrëshen–Bukmir në Bashkinë Mirditë vijon të jetë i dëmtuar rëndë pas reshjeve të fundit. Ky aks është i kalueshëm nga automjetet, edhe pse me vështirësi të madhe. Për ta parë nga afër situatën, në terren ka zbritur kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi. Ata theksuan se ky aks kërkon ndërhyrje emergjente nga ana e qeverisë.
Vlorë
Ndërkohë në qarkun e Vlorës, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë, poshtë urës së Mifolit. Niveli i lumit ka arritur në mbi 7 metra, çka ka bërë që tre banesa pranë urës së Mifolit të jenë të përmbytura. Sipas kreut të emergjencave civile, Haki Çako, situata po mbahet nën monitorim.
Lushnjë
Ndërkohë, lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në tokat bujqësore brenda argjinaturës. Shkak janë prurjet në rritje, duke bërë që lumi të dalë nga shtrati në zonën e Çërmës së Sipërme, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë akoma rritje. Për fermerët që kanë stanet në zonën e Kumarit në Divjakë, është dhënë njoftimi që t’i evakuojnë ato, për të evituar çdo rrezik përmbytjeje.
Elbasan
Edhe në qarkun e Elbasanit janë paraqitur problematika për shkak të reshjeve të shiut, ku si pasojë e rënieve të inerteve është vështirësuar qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor nacional Elbasan–Qafë Thanë, në afërsi të kthesës së Murrashit. Rënie gurësh ka pasur edhe në akse të tjera të këtij qarku, si në aksin Gramsh–Moglicë.
Ndërkohë në Librazhd, si rezultat i intensitetit të lartë të reshjeve, rrezikon përmbytjen nga lumi Shkumbin banesa e shtetases Gjylije Murrashi, në vendin e quajtur “Ura e Murrashit”. Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e familjes, ndërkohë që shkak i kësaj situate është hedhja e inerteve në dy anët e lumit nga firma që po ndërton segmentin e Koridorit të 8-s, ku si pasojë ngushtohet shtrati i lumit.
Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë e Libohovës është bllokuar rruga Suhë–Pogon për shkak të rrëzimit të një këmbë ure. Në këtë qark problematikë mbetet shkëputja e energjisë elektrike në bashkitë Memaliaj, Libohovë dhe Dropull.
© SYRI.net