Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Qytetarët në shesh, Rama turizëm në Zvicës

'Harrojeni diellin, stuhia po vjen', Meterologu: Reshje rekord dhe erë mbi 100 km/h godasin Shqipërinë

12:16, 17/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria do të përballet me një javë të paqëndrueshme me mot të keq, duke nisur nga pasditja e së dielës. E gjithë java e ardhshme pritet të jetë nën dominimin e reshjeve të dendura të shiut, erërave të forta dhe rrezikut të përmbytjeve në zona të ndryshme të vendit. Sipas parashikimeve, reshjet do të nisin fillimisht në zonat veriore dhe gradualisht do të përfshijnë të gjithë territorin.

Kulmi i tyre pritet ditën e martë dhe të mërkurë, ku do të shfaqen në formën e rrebesheve me intensitet të lartë. Zonat veriore do të jenë më të prekura, ku sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 300 mm.

Meterologu Hakil Osmani, në një lidhje Live për Syri Televizion tha se në zonat qendrore dhe jugore, reshjet do të jenë më të pakta, por sërish të konsiderueshme, me sasi që variojnë nga 120 deri në 190 mm. Një tjetër valë reshjesh intensive pritet ditën e premte.

Ky episod me reshje intensive rrit ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve. Problematikat më të mëdha priten në veri të vendit, por rrezik për vërshime të përkohshme të ujit ka edhe për qarqe si Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra, ku intensiteti i reshjeve do të jetë i lartë në periudha afatshkurtra. Përveç shiut, një tjetër element problematik do të jetë era e fortë. Parashikohet që shpejtësia e erës në det të hapur të arrijë mbi 100 km/h, ndërsa pranë brigjeve do të shkojë deri në 70 km/h. Kjo situatë do të sjellë vështirësi në trafikun detar, veçanërisht në zonën e gadishullit të Karaburunit.

Deklarata për Syri Televizion:

Në fakt duke filluar që nga orët e pasdites së ditës së sotme, do të kemi zhvillim të vranësirave, të cilat do të sjellin si fillim reshje shiu në zonat veriore dhe më pas gjatë orëve të mbrëmjes dhe nata vonë parashikohet që këto reshje të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar.

Dita e martë, dita e mërkurë, do të jenë në mbizotërimin e reshjeve në formën e rrebesheve, me intensitete të larta, ku më të fokusuara këto reshje pritet të jenë në zonat veriore, ndërsa në zonat qëndrore dhe në zonat jugore, reshjet do të jenë në sasi disi më të pakta.

Gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes së ditës së mërkurë, reshjet me intensitete të larta do të fokusohen kryesisht në zonat juglindore të territorit shqiptar.

Dita e enjte do të sjelli një përmirësim të përkohshëm të kushteve të motit duke bërë që të kemi vranësira të shpeshta, momente të pakta me reshje shiu të fokusuara kryesisht, reshjet do të jenë në zonat veriore, ndërsa pjesa tjetër do të ketë vetëm momente të pakta me pika shiu.

Pritet që sërish ditën e premte territori shqiptar të jetë nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, ku një tjetër sistem me vranësira të dendura, i pasur me lagështirë, do të bëjë që të kemi prezencë e reshjeve të shiut në formën e rrebesheve në të gjithë territorin shqiptar, por mbeten më të fokusuara këto rrebeshe në zonat veriore, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë disi më e mbrojtur. Edhe përgjatë fundjavës pritet të jemi në mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm. Përgjatë gjithë këtij episodi pritet të kemi reshje të konsiderueshme që do të bien në territorin shqiptar. Më të dukshme këto reshje pritet të jenë në zonat veriore, të cilat do të jenë nga 250 deri në 300 mm përgjatë gjithë këtij episodi.

Në zonat qëndrore pritet t'i kemi reshjet e shiut nga 120 deri në 180 apo 190 mm, ndërsa në zonat juglindore janë ato të cilat pritet të jenë edhe disi më të mbrojtura, ku pritet të jenë me një sasi jo më shumë se rreth 100 mm. Do të doja që në zonat jugore të veçoja Vlorë dhe Gjirokastër, ku pritet të jenë rreth 150 mm reshje shiu në total përgjatë gjithë këtij episodi. Por jo vetëm reshjet e shiut do të jenë problematike, të cilat kryesisht në zonat veriore herë pas here do të sjellin edhe problematika përsa i përket përmbytjeve, pasi reshjet do të jenë intensive, do të jenë për afate të shkurtra kohore, do të kemi rrebeshe intensive, të cilat sigurisht do të krijojnë edhe mundësira përsa i përket përmbytjeve, jo vetëm në zonat veriore, por po ashtu edhe qarku i Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, herë pas here do të kenë vërshime të përkohshme të ujit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco