Mandarina e Konispolit po përballet me një situatë të vështirë këtë sezon, pavarësisht prodhimit të jashtëzakonshëm dhe cilësisë së lartë të frutave. Fermerët dhe grumbulluesit po përpiqen të sigurojnë tregun, por paniku i krijuar mbi praninë e pesticideve ka ngrirë eksportin dhe ka lënë produktin të mbetet në pemë.

"Nga prodhimi jemi në një super prodhim me super cilësi, të cilin nuk e dimë ku do ta cojmë sivjet, për shkak të panikut të përhapur pa asnjë fakt të vërtetuar. Në zonën e Konispolit janë 1,000 hektarë të mbjella me mandarina, portokalle dhe limona. Janë 1,000 fermerë dhe rreth 1 milion pemë në prodhim, që japin rreth 60,000 tonë prodhim në vit, me një vlerë prej 30 milionë eurosh"- shpregon Shero.
LEXO EDHE: Mandarina e Konispolit ngec në pemë, fermerët drejt kolapsit për shkak të barrierave të eksportit
Shero shton se situata tani është e ngrirë: "Nuk ka kërkesë, as nga fermerët, as nga pikat e grumbullimit, as nga klientët. Ne po mundohemi të bëjmë analiza dhe të ofertojmë mandarinën për të çarë tregun, por është shumë e vështirë të bindim klientin pas lajmit se mandarina e Konispolit ka zero pesticide. Në zonën tonë nuk janë përdorur preparate të ndaluara; ato që gjejmë sivjet janë me karenca të larta dhe të lejuara në BE, dhe ne nuk vjelim nëse karenca nuk ikin plotësisht."
Ai thekson rëndësinë e analizave të individualizuara:
"Secila kompani që grumbullon dhe eksporton bën analiza individuale. Unë kam 5 vjet që nuk grumbulloj pa analiza, kam bashkëpunim me marketet Lidl në Europë. Ata marrin mostrat nga çdo parcelë, bëjnë analizën dhe pastaj tërheqin produktin. Deri më sot kam bërë 100 analiza, të cilat kanë karenca të larta, pra janë preparate të lejuara deri në momentin e vjeljes, dhe bashkë me fermerin vendosim datën e vjeljes dhe hedhjes në treg."
Mandarina e Konispolit mbetet një produkt me cilësi të lartë, por fermerët dhe grumbulluesit janë të detyruar të luftojnë për të ruajtur tregun dhe besueshmërinë e frutave të tyre.
© SYRI.net