SYRI TV/ Banorët e Çërravës protestojnë sërish, kërkojnë lirimin e Kevin Muçollarit

19:47, 11/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Arrestimi i Kevin Muçollarit, pas incidentit me këshilltarin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, ka ngjallur sërish protesta nga banorët e fshatit Çërravë. Ata kërkojnë lirimin e Muçollarit, duke theksuar se ai u provokua gjatë mbrojtjes së interesave të banorëve të zonës. Sipas protestuesve, ata do të vazhdojnë të mbrojnë tokat e tyre, të cilat bashkia dëshiron t'i japë me qira për vendosjen e paneleve diellore.

Banorët e fshatit Çërravë në Pogradec zhvilluan një protestë sot, duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevin Muçollari, i cili u arrestua pas një incidenti në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Sipas banorëve, ngjarja ka qenë pasojë e një provokimi gjatë diskutimit për çështjen e tokave të fshatit Çërravë. Ata e konsiderojnë reagimin e këshilltarit bashkiak të padrejtë dhe theksojnë se incidenti nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur provokim.

Protestuesit shprehen se Muçollari veproi në mbrojtje të interesave të banorëve dhe se arrestimi i tij është i padrejtë dhe ka një prapavijë politike. Sipas tyre, qëllimi i protestës është jo vetëm lirimi i tij, por edhe mbrojtja e tokave të fshatit nga projektet për vendosjen e paneleve diellore, të cilat, sipas banorëve, rrezikojnë aktivitetin bujqësor dhe jetesën e komunitetit.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Muçollarit dhe ka theksuar se ai veproi në mbrojtje të të drejtave të banorëve të Çërravës. Ai dhe komuniteti janë shprehur të vendosur për të vazhduar protestat deri në zgjidhjen e çështjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco