Muret e çara, tavani i rrëzuar dhe kollonat e spostuara nga themeli kjo është panorama e banesës së 72-vjeçares Margalina Dundo, banore e lagjes “Llukan Prifti” në Kuçovë. Ajo jeton çdo ditë me frikën se shtëpia mund ta shembë brenda natës.
Sipas saj, problemi nisi 6 vite e gjysmë më parë, kur një nga komshijtë devijoi rrjedhën e ujërave të larta, duke përhapur ujërat në themelet e banesave dhe duke shkaktuar dëmtime serioze.
Sot, themelet e shtëpisë së Margalinës janë shkarë, muret e çara, tavani i rrëzuar dhe kollonat e bazamentit janë të spostuara.
Margalina jeton e vetme në këtë shtëpi të rrezikshme, dhe çdo natë i kalon me frikë, ndërsa muret dhe tavanet bien copa-copa.
“Kam 6 vite që shkoj në bashkinë Kuçovë, por askush nuk më jep zgjidhje. Vetëm më gënjejnë. Kanë ardhur disa inxhinierë, por asnjëri nuk ka bërë asgjë. Kryetari i bashkisë më ka premtuar disa herë, por premtimet mbetën vetëm fjalë”, tregon Margalina.
Ajo i bën apel institucioneve dhe bashkisë që të konstatojnë gjendjen e shtëpisë, e cila është bërë e pabanueshme, dhe t’i ofrojnë ndihmë përmes fondit të emergjencave, pasi nuk ka ku të shkojë të jetojë.
“Nuk kam ku të shkoj tjetër, por edhe këtu kam frikë të rri se mos më zë shtëpia brenda.”
© SYRI.net