Bashkimi Evropian i jep çmimin e parë hetimit të Amforës për investigatimin mbi shkatërrimin e Parkut të Butrintit

Bashkimi Evropian i jep çmimin e parë hetimit të Amforës për investigatimin mbi shkatërrimin e Parkut të Butrintit

18:07, 21/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bashkimi Evropian ka ndarë tre çmime për historitë më të spikatura të gazetarisë investigative në Shqipëri për vitin 2024, duke vlerësuar punën e gazetarëve që kanë zbuluar raste abuzimi me fondet publike, korrupsion, si dhe çështje të ndjeshme që lidhen me mjedisin, shëndetin dhe trashëgiminë kulturore.

Në ceremoninë e organizuar mbrëmjen e 20 tetorit në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë, Çmimi i Parë iu dha gazetarëve Geri Emiri dhe Erjola Azizolli nga Amfora.al për investigimin “Resorti në Gjirin e Manastirit shkatërroi potencialin arkeologjik të Parkut të Butrintit”. Artikulli i tyre zbuloi shkatërrimin e trashëgimisë arkeologjike në Parkun Kombëtar të Butrintit si pasojë e ndërtimeve të investitorëve të ashtuquajtur “strategjikë”, të mbështetur nga qeveria.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi rolin e gazetarisë investigative në mbrojtjen e demokracisë dhe transparencës:

“Në Shqipëri, gazetaria investigative vazhdon të luajë një rol kyç në promovimin e llogaridhënies. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që gazetarët përballen, nga presioni ekonomik e deri te përqendrimi i pronësisë së mediave. BE do të vazhdojë të mbështesë gazetarinë e pavarur, iniciativat e verifikimit të fakteve dhe edukimin mediatik, sepse qytetarët e informuar janë mbrojtja më e mirë kundër dezinformimit,” – theksoi ai.

Çmimi i Dytë iu nda dy gazetarëve të Reporter.al: Vladimir Karaj për artikullin “Si në burg: Punëtorët afrikanë përballen me shfrytëzim dhe mohimin e lirisë në Shqipëri”, dhe Edmond Hoxhaj për investigimin “KPK kërkoi donacion nga kompania e Kastratit, duke i kujtuar një tender të mëparshëm të fituar”. Të dy artikujt trajtojnë çështje të rënda të abuzimit institucional, shkeljes së të drejtave të njeriut dhe mungesës së transparencës në institucionet publike.

Ndërsa Çmimi i Tretë shkoi për gazetaret Erisa Kryeziu dhe Esmeralda Keta nga Citizens.al, për artikullin “Na shfrytëzojnë deri në palcë: Gratë në industrinë fason ankohen për kushtet e punës”, një hetim që vë në qendër shfrytëzimin e grave punëtore në industrinë përpunuese dhe problemet sociale që shoqërojnë këtë sektor.

Përfaqësuesja e “Thomson Media”, Sanja Laziç, u shpreh se interesi dhe cilësia profesionale e aplikimeve po rriten çdo vit:

“Këtë vit patëm jo vetëm numrin më të lartë të aplikimeve, por edhe cilësinë më të lartë të historive, me tema të larmishme që trajtojnë korrupsionin, abuzimet me fondet publike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.”

Fituesit u përzgjodhën nga një juri profesionale e përbërë nga Blerjana Bino, Fatjona Mejdini dhe Rashela Shehu, nga një total prej 32 aplikimesh.

Çmimet për Gazetarinë Investigative në Ballkan janë një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me “Thomson Media”, dhe zbatohen nga një konsorcium organizatash ndërkombëtare si BIRN Hub, Central European University (CEU), Shoqata e Gazetarëve të Turqisë (AJ), Media Association of South East Europe (MASE) dhe BIRN Kosova.

Në qendër të kësaj ngjarjeje qëndroi mesazhi kryesor: gazetaria e lirë dhe e pavarur mbetet themeli i demokracisë dhe transparencës në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco