'270 mijë rrënjë ullinj në rrezik', Fermerët e Beratit në prag falimentimi: Prodhimi mbulon më pak se 10% të kostos!

08:52, 19/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fermerët e fshatit Bilçë në qarkun e Beratit ndodhen në prag të falimentimit, pasi këtë vit prodhimi i ullirit nuk arriti të mbulojë as 10% të kostos së prodhimit.

Prej më shumë se dy vitesh, pemët e ullirit në këtë zonë janë dëmtuar rëndë nga kushtet atmosferike dhe sëmundjet, duke sjellë një rënie drastike të rendimentit.

Fermerët thonë se mungesa e ujit për vaditje, çmimet e larta të pesticideve dhe mungesa e mbështetjes nga shteti i kanë detyruar të braktisin parcelat, teksa e shohin veten të pamundur për të përballuar shpenzimet.

Image

Edhe pse zona e Bilçës njihet si një nga zonat më prodhuese të ullirit në të gjithë qarkun e Beratit, këtë vit shumë pemë kanë mbetur pa fruta.

Familjet, të cilat kanë mesatarisht nga 300 deri në 500 rrënjë ullinj, kanë siguruar vetëm pak kuintalë prodhim, çka nuk u mbulon as shpenzimet bazë të krasitjes, vaditjes, spërkatjes dhe vjeljes.

Sipas fermerëve, ulja e temperaturave gjatë çeljes së luleve të ullirit, si dhe infeksionet e ndryshme, kanë shkaktuar dëmtime masive të frutave.

Rënia e prodhimit ka sjellë automatikisht edhe rritjen e çmimit të ullirit dhe të vajit të ullirit në treg, duke rënduar më tej situatën ekonomike të konsumatorëve.

Një tjetër problem shqetësues është mungesa e rrugëve që lidhin parcelat kodrinore, ku në ditët me shi nuk mund të hyjë asnjë mjet bujqësor.

Me të rinjtë që kanë emigruar jashtë vendit, në fshat kanë mbetur vetëm të moshuarit, të cilët i bëjnë apel qeverisë që të ndërhyjë me masa urgjente për shpëtimin e sektorit të ullirit, që për ta është burimi i vetëm i të ardhurave.

“Këtë vit nuk kemi prodhim. Po falimentojmë. S’kemi ujë për vaditje, pesticidet janë të shtrenjta, dhe nga shteti nuk kemi marrë asnjë ndihmë”, shprehen fermerët.

Image

Në zonën kodrinore të fshatit Bilçë shtrihen rreth 270 mijë rrënjë ullinj, të cilat rrezikojnë të mbeten të pashfrytëzuara nëse situata vijon të përkeqësohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco