Nga Astrit Kala/
Për prindërit
Jam bërë gjysh. Pas 14 ditësh bëra bisedën e parë me nipçen. E thirra "shoku". Po qante. Duke i folur, e ledhatova tek koka, i fërkova gjoksin e barkun. I thosha se ishte shumë i bukur. I thosha se e doja fort. I uroja që t’i dhuronin dashuri, të ishte i lumtur me babin e mamin.
Me fjalët e mia, me përkëdheljet e mia, si dhe nën tingujt e serenatave shkodrane, e zuri gjumi.
Ishte shumë bukur. Ndjeva një lloj çlirimi shpirtëror. Nuk do ta harroj kurrë. Falënderoj Zotin që më dhuroi këtë moment të paqtë. M’u duk se zëri im i dha qetësi, siguri.
Duke e shijuar qetësinë e nipçes, m’u kujtuan prindërit e mi të ndjerë.
Mendova.
Lindëm disa kile. Nuk dinim të flisnim, të ecnim, të njihnim. Zëri i parë që dëgjuam, figura e parë që njohëm, ishte e tyre. Tek ata gjenim siguri, ngrohtësi, paqe. Nga fëmijë djepi, na bënë burra. Na rritën, na duruan tekat, çapkënllëqet dhe neglizhencën, e nuk u mërzitën asnjëherë.
Nga shpirti për ta më dolën këto rreshta:
PËR PRINDËRIT
Faleminderit!
Më dhatë jetë, më dhatë dashuri,
ma mbushët zemrën me mirësi,
më mësuat të kem respekt për njerëzi,
më mësuat të dhuroj dashuri.
Gjithnjë krenar për ju, të fisshmit,
prindërit e mi.
Korrik 2025
Bruksel – Belgjikë
© SYRI.net