SYRI TV
Fenomeni i konsumimit të lëndëve narkotike nga të rinjtë në hapësira pallatesh dhe ambiente të pabanuara, është kthyer në fenomen shqetësues për qytetarët fierak. Vet banorët e pallateve theksojnë se ky fenomen është i dukshëm, ndërsa kërkesat e tyre për ndërhyrje kanë shtyrë policinë e Fierit të shtojë kontrollet
Operacionet e fundit të policisë kanë si synim jo vetëm goditjen e grupeve të trafikut të drogës, por edhe evidentimin e përdoruesve të rinj, të cilët shpesh konsumojnë në zona të izoluara pranë pallateve apo objekteve të braktisura.
Në një nga komplekset e pallateve, në ish-godinën e stacionit të trenit dhe në një ndërtesë të braktisur pranë një shkolle private fare pranë Bashkisë Fier, gjurmët e lëna pas nga konsumatorët flasin qartë. Po të njëjtën gjë e dëshmojnë edhe qytetarët.
Por përtej kontrollit policor, psikologët në biseda të ndryshme theksojnë se rreziku më i madh është tek rinia, e cila shpesh e sheh drogën si “arratisje” nga problemet sociale dhe ekonomike. Nga ana tjetër, statistikat zyrtare të DVP Fier e përforcojnë akoma më tepër këtë fenomen, pasi vetëm gjatë muajit shtator, janë goditur 20 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në këto operacione, 12 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 10 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
© SYRI.net