'Ligji përcakton burrë dhe grua'/ Armanda Hysa: Drafti është më konservator se praktikat në BE dhe SHBA

09:25, 23/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Antropologia Armanda Hysa, e ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, tha se projektligji i barazisë gjinore ka të bëjë vetëm me marrëdhënien mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ajo theksoi se nisma synon krijimin e kushteve të barabarta për gratë dhe burrat në vendin e punës, në mënyrë që përgjegjësitë familjare të mos rëndojnë më shumë mbi njërën palë.

Sipas saj, teksti i draftit përcakton qartë gjininë “burrë” dhe “grua” dhe mbetet më konservator krahasuar me praktikat që diskutohen në vendet e BE-së apo SHBA-së, pa përfshirë referenca për komunitete të tjera apo terma si “prindi 1” dhe “prindi 2”.

Armanda Hysa:

"Ajo që unë kam lexuar si draft i projektligjit të barazisë gjinore nuk më është dukur në asnjë moment që ka të bëjë me Kodin e Familjes apo të drejtave të komuniteteve specifike seksuale apo gjinore.

Thjesht ka të bëjë me punëdhënësin e punëmarrësin, ku punëdhënësi është sektori publik ose privat dhe çështja e diskriminimit kur vjen puna për njoftimet për punësim, por krijimi i kushteve të tilla që si gratë dhe burrat të mos preken me jetën e tyre individuale apo familjare dhe përgjegjësitë që kanë për rritjen e familjes, si të lehtësohen kushtet që gjinia që ka pasur përfaqësim në publik më të ulët, në ligj përcaktohet burrë ose grua dhe krahasuar me atë që po ndodh në botë, ky ligj është goxha më konservativ sesa diskutohet në Europën Perëndimore, BE apo SHBA.

Nuk e prisja se do përcaktohet aq shumë duke pasur një komunitet që gjithnjë e më shumë po del në sferën publike e quhet komuniteti transseksual dhe nuk ka referencë që të lënë të kuptojnë që ekzistojnë persona të tillë. Nuk e di se ku ka lindur ky panik për prindin 1 dhe 2, pasi ligji i barazisë gjinore nuk merret fare me këto.

Jam këtu për të diskutuar projektligjin që ka të bëjë me rritjen e përfaqësimit të gjinisë femërore, sepse ajo ka qenë më pak e përfaqësuar në sferën politike, ekonomike, teknologjisë, zhvillimit etj. dhe krijimin e kushteve të barabarta të punës, që njëra palë mos të mundohet më shumë se tjetra. Apo jemi për të diskutuar për të drejtat e komunitetit LGBT.

Shprehja gjinore gjithëpërfshirëse: kur thua kryeministër p.sh. dhe je grua, duhet të thuash kryeministre, sepse me drejtshkrimin e gjuhës shqipe thuhet kryeministri Armanda Hysa dhe duhet thënë kryeministra Armanda Hysa, pra doktoreshë dhe jo doktor.

E dyta, njerëzit kur duan të shohin kamuflim, sepse e tillë është koha, sepse jetojnë në debatet që bëhen në SHBA dhe vijnë në Shqipëri: lejohet apo jo aborti, ku aborti këtu është lejuar me kohë, por këtu vjen “lejohet a jo” se ashtu është bërë në Amerikë.

Jam dakord të hapim debate mbi të drejtat e njeriut, sepse çdo person është një individ e çdo individ ka një karakter dhe kur kjo qenía e rëndësishme thuhet, thuhet një e drejtë humane dhe duhet nisur që nga vetja jonë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco