Fermerët e Samaticës në Dimal drejt falimentimit: Eksporti është bllokuar dhe malli është kalbur, shteti nuk merr asnjë masë

19:56, 15/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fermerët e fshatit Samaticë në bashkinë e Dimalit, prej disa ditësh po përballen me një situatë të vështirë, për shkak të mungesës së tregut për shitjen e produkteve të tyre bujqësore. Tonelata me prodhime bujqësore, si domate, kastravecë dhe perime të tjera, po qëndrojnë "stok" në pikat e grumbullimit ku fermerët i çojnë me shpresën mos ndonjë blerës vjen për ti blerë e në të kundërtën ato qëndrojnë atje derisa kalben dhe fermeri është i detyruar ti hedhë në kanal.

Shkak për këtë situatë, sipas fermerëve,është bërë bllokimi i 8 tonëve domate me origjinë nga Shqipëria në Kroaci, ngjarje që ka ndikuar në uljen drastike të interesit për prodhimet shqiptare në tregjet e huaja. Ata thonë se pas këtij incidenti, porositë janë ndërprerë pothuajse plotësisht.

Fermeri Flori Begaj shprehet se,"Problemi qëndron se ne si fermer kemi në të gjithë zonën e Samaticës sera, kemi investuar goxha lekë, kemi bërë mallin sipas standardeve edhe pse disa thonë me pesticide por nuk është e vërtetë kjo gjë. Unë personalisht kam 1 hektar serë, kam mbjelle trangull dhe pak domatinë por nuk po shitet, çmimi normal që është i ulët por ne po vuaj ta heqim, eksporti nuk po funksionon si ka funksionuar"-,shprehet ai.

Fermeri Marjo Bregu nuk e mohon faktin e abuzimit nga fermerë të ndryshëm në përdorimin e pesticideve të ndaluara apo dhe mbidozë pesticidesh, duke theksuar që për shkak të tyre bujqësia ndodhet në pikët kritike të saj,ku shumë prej fermerëve janë të detyruar të falimentojnë ose të marrin kredi për të vijuar ende punën e tyre nëpër sera. Arsyeja e bllokimit nga shteti kroat kjo ishte,përdorimi i pesticideve të ndaluara ose në mbidozë. Edhe kjo është një problematikë që deri diku unë besoj që qëndron këtu tek ne,edhe besoj që kjo është një problematikë që duhet punuar sepse ndoshta dhe falë kësaj jemi në këtë gjendje këtu ku jemi, që malli nuk po shitet dhe që tregtarët nuk po vijnë të marrin  mallin. Kjo  ka bërë një dëm që nuk mund të imagjinohet sepse duke mos shitur aspak,realisht zero,atëherë nuk arrin që të mbulosh shpenzimet e shumta për këtë sezon që është investuar, aq më tepër pastaj që të mendosh të investosh për sezonin tjetër. E vetmja zgjidhje për fermerin është ti lej serat pa mbjellë ose zgjidhja tjetër është kredia"-,ka thënë ai.

Fermerët hedhin akuza edhe ndaj institucioneve shtetërore, të cilat sipas tyre nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur imazhin e bujqësisë shqiptare dhe për të ndihmuar fermerët në gjetjen e tregjeve alternative. Ata kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave përkatëse për të shmangur falimentimin e tyre të sigurt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco