Lajmi i fundit

Përplasje fatale në bypass-in e Vlorës/ Përplasen tre makina, humb jetën 40-vjeçari, dy prej mjeteve u dogjën

Çfarë mendojnë delfinët dhe balenat për njëri-tjetrin? Shkencëtarët kanë prova të reja

Çfarë mendojnë delfinët dhe balenat për njëri-tjetrin? Shkencëtarët kanë prova të reja

13:04, 02/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Teksa balenat me gungë rrëshqasin mbi sipërfaqe afër brigjeve të Australisë, disa pika të vogla përpara tregojnë se ato nuk janë vetëm. Një tufë delfinësh hundëshishe lëviz shpejt para grupit.

Kjo skenë e regjistruar nga një “crittercam” e vendosur mbi një nga balenat është vetëm një shembull i ndërveprimit mes balenave me mustaqe dhe delfinëve në natyrë, dhe mund të jetë shumë më e zakonshme sesa kanë menduar shkencëtarët.

Pas analizimit të videove dhe fotove nga 199 raste ndërveprimi mes balenave dhe delfinëve që përfshinin 19 specie në mbarë botën, studiuesit zbuluan se një e katërta e të gjitha takimeve mes tyre mund të ishin “një ndërveprim i mundshëm pozitiv,” sipas një studimi të publikuar sot në revistën Discover Animals. Nuk është plotësisht e qartë sa të vetëdijshme janë këto kafshë për njëra-tjetrën apo nëse këto shenja tregojnë se ata po tregohen lozonjarë apo thjesht po krijojnë atmosferë.

Ndërveprime të mundshme pozitive mes delfinëve dhe balenave

Ekipi kërkoi në rrjetet sociale pamje dhe video të kontaktit mes dy gjitarëve detarë në oqeanet e botës, përfshirë edhe dy video të regjistruara nga "crittercams".

Në 80 për qind të rasteve, delfinët notuan pranë kokës së balenave, gjë që sugjeron një vetëdije të ndërsjellë ose edhe një përpjekje të delfinëve për të tërhequr vëmendjen e balenave, thotë Olaf Meynecke, bashkautor i studimit dhe drejtues i programit për balenat dhe klimën në Universitetin Griffith në Queensland, Australi. Në disa raste të veçanta, delfinët dukeshin sikur fërkonin ose prekni qëllimisht balenën.

Afërsia e tyre “do të tregonte se ata kërkojnë ose kontakt të drejtpërdrejtë, ose të paktën kontakt vizual,” thotë ai.

Në disa raste, delfinët u angazhuan në “bow riding”, duke kursyer energji teksa rrëshqisnin mbi dallgën e krijuar nga balena në lëvizje, pranë kokës ose rostrumit të saj, njësoj siç bëjnë shpesh me anijet. “A ishin delfinët pranë rostrumit sepse po shijonin udhëtimin e shpejtë, apo në të vërtetë po kërkonin kontakt me balenat?” pyet Meynecke.

Delfinët shpesh shihen duke u lozur rreth balenave, por sjellja e tyre “historikisht është parë sikur delfinët që luajnë me këtë gjigant të madh të oqeanit,” thotë Thea Taylor, drejtoreshë e projektit Sussex Dolphin Project në Angli, e cila nuk ishte pjesë e studimit, “por nuk ka pasur shumë dëshmi që balenat të ndërvepronin dhe të luanin në këmbim.”

Kur Meynecke dhe kolegët e tij analizuan pamjet me kujdes, ata kuptuan se disa balena dukeshin se po përgjigjeshin.

A i kërkojnë balenat delfinët?

Bazuar në sjelljet e dokumentuara, disa specie balenash duket se u përgjigjen më shpesh afrimeve miqësore të delfinëve sesa të tjerat. Veçanërisht balenat me gungë, që besohet të kenë një prirje për të ndihmuar specie të tjera pasi nganjëherë ndërhyjnë kur orkat sulmojnë balena, foka apo edhe peshq dielli, ishin më të hapura ndaj shoqërimit.

Nga të gjitha takimet e dokumentuara me balenat me gunga, “të paktën një e treta e ndërveprimeve i klasifikuam si pozitive, me balenat me gunga që realisht notonin drejt delfinëve,” thotë Meynecke.

Balenat me gunga rrotulloheshin anash dhe tregonin barkun, gjë që shpesh lidhet me socializimin ose çiftëzimin, si dhe shtrinin pendët gjoksore drejt delfinëve. Ndërkohë, balenat gri rrotulloheshin, një sjellje që shihet gjatë çiftëzimit, por edhe kur këto kafshë kurioze përpiqen të shohin më mirë një varkë turistike. Balenat e anës jugore përplasnin ujin me pendët e tyre gjoksore, edhe kjo e lidhur me komunikim dhe ndërveprim shoqëror.

“Është shumë interesante të shohësh atë lojën e ndërsjellë, dhe jo vetëm në një drejtim të vetëm,” thotë Taylor.

Në dy raste të habitshme, balenat me gunga ngritën një delfin hundëshishe mbi rostrumin e tyre. Taylor nuk dinte si ta shpjegonte këtë, por nuk e pa si një veprim agresiv. “Zakonisht veprimet agresive janë më të forta, si goditje me bisht ose me kokë.”

Kontakti mes gjitarëve detarë nuk është gjithmonë pozitiv. Në Angli, studiuesit kanë regjistruar raste kur delfinët kanë vrarë marsuinë para se ta braktisnin trupin, shkencëtarët nuk e dinë pse, por pasi nuk e hanë mishin, mund të jetë thjesht për argëtim. “Kjo është një anë disi më e errët e lojës,” thotë ajo.

Image

Disa specie të tjera të dokumentuara në studim ishin më pak të impresionuara nga delfinët sesa balenat me gungë, balenat e zakonshme, balenat blu dhe të anës veriore pothuajse nuk treguan reagim.

Rëndësia e lojës

Përveç se është argëtuese, loja është e rëndësishme për zhvillimin njohës dhe shoqëror. “Delfinët varen shumë nga rrjetet e tyre shoqërore për të gjuajtur, ushqyer dhe shumuar,” thotë Taylor. “Ashtu si tek njerëzit, loja është një mënyrë fantastike për të forcuar lidhjet shoqërore.”

Të kuptuarit nëse specie të ndryshme kërkojnë njëra-tjetrën për lojë i ndihmon ekspertët të kuptojnë më mirë shpërndarjen e tyre, gjë që mund të informojë më mirë përpjekjet për ruajtje dhe të rrisë mbështetjen publike për masat mbrojtëse.

Është një strategji që ka funksionuar edhe më parë. Para vitit 1970, shumica e njerëzve nuk kishin asnjë ide se balenat mund të këndonin. Kur një biolog detar publikoi një album me këto melodi magjepsëse dhe njerëzit dëgjuan për herë të parë këngën e balenave, kjo ndryshoi mënyrën se si ndiheshin të lidhur me këto gjitarë gjigantë. “Të kuptuarit që gjitarët detarë luajnë, njësoj si ne, mund të frymëzojë një lidhje emocionale të ngjashme,” thotë Taylor. / National Geographic - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco