Në qytetin e Elbasanit kanë shpërthyer ujërat e zeza në një nga lagjet më të populluara, duke krijuar një situatë alarmante për banorët dhe kalimtarët. Në rrugën Qemal Stafa, ujërat e ndotura kanë mbuluar të gjithë trasenë, ndërsa deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të qytetit. Banorët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e ndonjë epidemie.
Që prej mbrëmjes së mëkurë, në një prej kryqëzimeve kryesore të Bashkisë së Elbasanit, kanalizimet kanë shpërthyer, duke shkaktuar vështirësi për kalimin e rrugës dhe duke u kthyer në një burim të mundshëm infeksioni. Banorët shprehen se situata mbetet e pazgjidhur dhe përbën një rrezik serioz për shëndetin publik, pasi ujërat e zeza përfshijnë hapësira ku lëvizin çdo ditë qytetarët, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar.
Sipas tyre, institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë menjëherë për të evituar përhapjen e ndonjë epidemie. Situata ka shkaktuar shqetësim të madh jo vetëm për banorët e lagjes, por edhe për kalimtarët e rastit. Edhe mëngjesin e së enjtes, përveç mjeteve zjarrfikëse që po pastronin zonën, nuk është parë asnjë punonjës për të riparuar difektin, gjë që ka shkaktuar zemërim dhe frikë te qytetarët.
Banorët kërkojnë një përgjigje të menjëhershme nga autoritetet, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të sjellë pasoja serioze jo vetëm për shëndetin e qytetarëve, por edhe për mjedisin urban. Ata theksojnë se situata është e paimagjinueshme për një qytet që pretendon standarde minimale higjienike, dhe shprehin shqetësimin e tyre se pa ndërhyrje urgjente, problemi mund të shndërrohet në një krizë shëndetësore dhe mjedisore.
© SYRI.net