Nga SYRI TV
Banorët e fshatit Nartë protestuan këtë të hënë për mungesën e ujit të pijshëm. Ky është një problem i vazhdueshëm për banorët e kësaj zone, ndërkohë që është rënduar ndjeshëm ditët e fundit.
Banorët shprehen se prej rreth tre muajsh furnizimi me ujë është bërë thuajse i pamundur, duke u reduktuar nga 24 orë që ishte dikur, në vetëm pesë minuta në mëngjes dhe pesë minuta pasdite. Ata deklarojnë se kjo situatë është e papranueshme, sidomos për një zonë me potencial të madh turistik si Narta.
Për shkak të mungesës së ujit, banorët detyrohen ta mbushin atë në varrezën e fshatit, atje zënë radhën me bidona që herët në mëngjes, për të siguruar sasinë minimale për familjet e tyre.
Të indinjuar nga ky fakt, banorët i janë drejtuar Bashkisë së Vlorës, Prefekturës dhe Ujësjellësit, ndërsa paralajmërojnë se do t’i drejtohen me peticion edhe Kryeministrit për të zgjidhur këtë problem.
Ky nuk është reagimi i parë i tyre, pasi dy muaj më parë, banorët zhvilluan një tjetër protestë, pas së cilës ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve vendosi në dispozicion një autobot për furnizimin me ujë, ndërkohë që drejtori i Ujësjellësit, Ermal Murati, premtoi zgjidhje të menjëhershme të problemit, gjë e cila nuk ka ndodhur.
© SYRI.net