SYRI TV/ Shtohen raste e urgjencave mjekësore në spitalin e Lezhës, mbi 200 raste gjatë 24 orëve

12:56, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Temperaturat e larta kanë shtuar fluksin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrat shëndetësore dhe në spitalet rajonale. Shkak për shtimin e urgjencave janë intoksikimi nga ushqimi, por edhe sëmundjet kronike. Në urgjencën e spitalit të Lezhës, kërkesat për ndihmë mjekësore janë 10-fishuar, ku gjatë një harku kohor prej 24 orësh trajtohen mbi 200 pacientë. Në Lezhë vijon të jetë problematik trafiku i rënduar, duke krijuar vonesa në dhënien e ndihmës së parë.

Rritja e lartë e temperaturave dhe rikthimi i emigrantëve gjatë sezonit turistik kanë bërë që të rritet edhe numri i pacientëve në urgjencat spitalore të vendit. Një numër i madh rastesh për ndihmë mjekësore është regjistruar edhe në spitalin rajonal të Lezhës. Sipas mjekëve të urgjencës së këtij spitali, që nga 1 qershori janë regjistruar rreth 1 mijë kërkesa për ndihmë mjekësore. Sipas bluzave të bardha, rastet më të shpeshta janë aksidentet rrugore, mbytjet në det, helmimet nga ushqimi, si dhe sëmundjet kronike.

Ndër të tjera, mjekët thonë se numri i rasteve në spitalin rajonal të Lezhës arrin mbi 200 pacientë gjatë një harku kohor prej 24 orësh, duke u shtuar edhe 150 raste urgjente në qendrën mjekësore të Shëngjinit.

Ndërkohë, mjekja Evisa Biba shprehet se ka pasur edhe situata të komplikuara, ku pacientët kanë pasur nevojë për mjekime më të specializuara.

Urgjencat mjekësore në zonën e Lezhës shpeshherë janë përballur edhe me vonesa, për shkak të keqmenaxhimit të trafikut rrugor, ku një ambulancë për të shkuar në vendin e ngjarjes duhet të presë edhe me orë për të trajtuar një emergjencë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco