Dikur, mbledhja e bimëve medicinale ishte një punë fitimprurëse për këdo. Sot, diçka e tillë siguron të ardhura minimale, por ka ende nga ata që nuk heqin dorë. Të tillë janë disa banorë të Maliqit, të cilët, edhe pse në moshë të madhe, vazhdojnë të merren me mbledhjen e bimëve medicinale — një proces që u siguron atyre sadopak të ardhura për të mbijetuar.
Fenomeni i emigracionit ka prekur edhe bashkinë e Maliqit, ashtu si edhe atë të Korçës, me të njëjtat probleme që hasen kudo. Shumë profesione janë zhdukur, ndërsa të tjera po mbahen gjallë nga të moshuarit. Mosha mesatare e të punësuarve është rritur ndjeshëm. Dikur, mbledhja e bimëve medicinale ishte një punë me përfitime të mëdha; sot, sjell të ardhura modeste, por gjithsesi ka njerëz që nuk dorëzohen.
“Ka sa të duash, punojmë sepse duhet të ushqehemi dhe të rrisim fëmijët. Kemi hithra, mëllagë, qumështore. Nuk e dimë sa shiten, dimë vetëm ditën e punës që marrim,” – thotë një prej tyre.
“Nuk kam dalë ende në pension. Është e vështirë të punosh në këtë moshë, por kjo punë na mban gjallë.”
Përveç mungesës së fuqisë punëtore, edhe fitimet janë të ulëta.
“Jemi punëtore, paguhemi 18. Çfarë ia vlen? Nuk blejmë dot as një milvë (shprehje për diçka minimale), por kemi vendosur të jetojmë kështu dhe vijmë,” – tregon një tjetër.
“Mosha, temperaturat e larta... por i përballojmë nga e keqja. Paguhemi 18 në ditë. Ia vlen apo jo, për ne është mirë, për punën që bëjmë, është në rregull. Kërkohen punëtorë, por nuk ka, sepse kanë ikur në Greqi.”
Një nga gratë punëtore ka tokë të sajën, por nuk arrin ta shfrytëzojë për shkak të mungesës së ujit.
“Kjo është e vetmja e ardhur për mua. Kemi tokë, por nuk ka ujë, nuk më leverdis ta mbjell. Kam ardhur të punoj me lulet, bimët medicinale – hithra, qumështore, mëllagë.”
Për orë të tëra, nën temperatura të larta, banorët e Maliqit mbledhin bimë medicinale në natyrë, duke siguruar kështu të ardhurat e tyre të përditshme.
© SYRI.net