Ndërtimi i një pallati të ri në zonën e plazhit në Durrës, duke bllokuar rrugën hyrëse për banorët e godinës përballë, rrëzon propagandën e qeverisë për lirimin e hapësirave publike. Banorët shprehen se nuk janë respektuar distancat ligjore për ndërtimin e pallatit, pasi hapësira e lënë në dispozicion nuk lejon kalimin e ambulancës apo zjarrfikëses, duke izoluar rreth 60 familje.
Ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike, duke hequr karrige dhe tenda të lokaleve, në lagjen nr. 13, në zonën e plazhit në Durrës, hapësira përballë një pallati ekzistues jo vetëm që po zëhet nga ndërtimi i një godine të re, por po pengon dhe qarkullimin e banorëve, duke ua bllokuar rrugën për të hyrë në shtëpitë e tyre. Sipas banorëve, nëse nuk respektohen distancat e nevojshme, as ambulanca dhe as zjarrfikësja nuk do të jenë në gjendje të afrohen në rast emergjence.
Gjithashtu, banorët theksojnë se pallati ku ata jetojnë është dëmtuar që nga tërmeti, dhe ndërtimi i një godine të re në afërsi të tij mund të shkaktojë dëmtime të mëtejshme në strukturën e ndërtesës.
Rreth 60 familje që jetojnë në këtë godinë i bëjnë thirrje shtetit të marrë masa urgjente, pasi jeta e tyre është në rrezik.
© SYRI.net